Gjykata e Durrësit ka dënuar me 4 vjet burg ish – Kryeinspektorin Rajonal të Mjedisit Durrës, Genci Balla, i akuzuar për “korrupsion pasiv”. Së bashku me Ballën, gjykata ka dënuar me po 4 vite burg, edhe ish – Inspektorin Rajonal, Eduart Bejko. Ndërsa për Doriana Nikollën, juristen private, e cila shërbente si ndërmjetëse për veprimet korruptive të zyrtarëve me subjektet tregtare, Gjykata dhe dënimin me 1 vit e 6 muaj burg.
Procesi gjyqësor ndaj personave në fjalë është zhvilluar me procedurë të shkurtuar duke bërë që të pandehurit të fitojnë uljen me 1/3 e dënimit.
Ky proces nisi në vitin 2014, kur dy zyrtarët u arrestuan pasi i kërkonin në formë “gjobe” mujore në shumën 100.000 lekë një shtetasi kinez, i cili kishte një aktivitet në riciklimin e mbetjeve plastike në zonën e Durrësit, shkruan dita.
Fillimisht, Gjykata e Rrethit gjyqësor Durrës i shpalli të pafajshëm të pandehurit, por Prokuroria e Durrësit e ankimoi vendimin dhe Gjykata e Apelit Durrës e ktheu për rishqyrtim çështjen në Shkallë të Parë, me një tjetër trup gjykues.
Në përfundim të procesit, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës vendosi t’i shpallë fajtorë, duke dhënë edhe dënimet përkatëse për tre të pandehurit.
Nga hetimi i Prokurorisë së Durrësit u provua se, me veprimet e kryera nga të pandehurit Genci Balla, me detyrë Kryeinspektor i Inspektoratit Mjedisor në Drejtorinë Rajonale të Qarkut Durrës në bashkëpunim e shtetasin Eduart Bejko, me detyrë Inspektor në Inspektoratin e Mjedisit në Drejtorinë Rajonale Durrës, duke kërkuar dhe marrë për shkak të detyrës në vazhdimësi dhe në kohë të ndryshme një shumë prej 500 000 lekë, kanë konsumuar veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” e kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 259 -25 të Kodit Penal.
Ndërkohë e pandehura Doriana Nikolla, duke pranuar që këto shuma të paguheshin në zyrën e saj për shkak të njohjeve që kishte me të pandehurin Eduart Bejko ka pranuar se është në gjendje të ushtrojë ndikim të paligjshëm tek dy shtetasit e mësipërm, ka konsumuar elementët e veprës penale veprën penale veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm të personave që ushtrojnë funksione publike”. a.k