Kryeministri Edi Rama replikoi me paraardhësin e tij Sali Berisha duke e pyetur për Reformën në Drejtësi.
“Sali, kam pyetjen e mërzitshme: Reformën, do ta votosh? Do ta lejosh apo jo PD-në ta votojë reformën?”, ishte pyetja që Rama i drejtoi Berishës.
“Mos u merr me qytetarin dixhital, se ua fute edhe këtyre të tjerëve mikrobin. Më shih në sy e më thuaj pse nuk e voton, pse PD nuk është në tryezën e Komisionit e të votojë draftin e miratuar nga Komisioni i Venecias?”, vazhdoi Rama.
Kryeministri iu drejtua Berishës më tej me pyetje që lidhen me sistemin e drejtësisë.
“Kjo është një pyetje retorike, sepse mjafton të shikosh se çfarë ndodh në gjykatë me atë majën e betonit që iu dha leja nga kryetari në detyrë i partisë tënde për të kuptuar se pse ti, i pari, personalisht, je krejt i painteresuar që gjyqtarët e prokurorët të përgjigjen një për një, sipas normave të përcaktuara nga projekti i Reformës, për të kaluarën e tyre, vendimet e tyre, paratë e tyre, si do ta pranosh ti këtë?”, tha Rama.
“Një gjykatë e kapur me presh në duar që refuzon të zbatojë ligjin, të marrë parasysh konfliktin e interesit e të ndryshojë trupën gjyqësore. Një mal betoni mbi digën e liqenit që kërcënon jo vetëm parkun, por edhe jetën e një lagjeje të tërë, dhe që është konsideruar i rrezikshëm nga një komitet shtetëror specialistësh. Gjykata u detyrua se një gjyqtar doli klient, blerësi drejtpërdrejtë nga kompania paditëse e shtetit. Dhe ju që u angazhuat, deri edhe më armë për ndërtimin një parku lojërash, nuk bëzani, por përkundrazi angazhuat presidentin për të dalë publikisht dhe për të marrë në mbrojtje trupën më të korruptuar që mund të përfytyrojë mendja normale po të njohë ligjin, dhe të shohë konfliktin e interesit. Dhe pastaj vini kujën se pse doli në protestë kreu i bashkisë. Po të mos kishte bërë atë protestë dhe po të mos kishte ndarë me opinionin publik, sot do të ishte zbardhur një vendim me trupën e një konflikti interesi. Sot bëni të paditurin, aq më tepër këtu ku keni vetëm një armë, kriminalizimin e përditshëm. Jeni krejtësisht hipokritë dhe në tradhti të plotë e të përditshme me popullin”, tha kryeministri.
Rama shtoi se Berisha e akuzon atë për lidhjet e tij me drogës që në kohën kur ishte kryebashkiak e mbolli kumbullat e kuqe.
“Nuk keni asnjë kapacitet për t’ju kundërvëmë me alternativë dhe ideale të propozime të kundërta. Reformat që bënë qeveria, ju ka mbirë në majë të hundës fjala; skandal. Me drogën Sali ti më ke lidhur mua që kur mbolla kumbullat e kuqe. Ka qenë një kohë tjetër, nuk ka pasur kaq shumë televizione dhe nuk kanë ekzistuar rrjetet social edhe as qytetarët dixhital. Fantazinë e kam për të bërë punë që ti as nuk e imagjinon dot që të realizosh. Këta përsërisin këngën tënde të vjetër, nuk njihni kundërshtarë, por vetëm armiq që duhet me çdo kush ta degjenerosh me çdo mjet. Të mungon vetëm mjeti i fundit, gjyqi për të dënuar pa avokat atë që ke përballë. Uro këtu Sali, se nuk është as e re dhe as e fundit se ti je një gënjeshtar patologjik.
Rama i tregoi Berishës edhe një shkresë nga Europol, duke e ftuar ta lexonte në foltore.
“Hajde lexoje këtu, se të kam parë se si lexon, shtoje dhe hiqje fjalë sipas interestit të partisë”, tha me humor Rama, duke lexuar më pas komunikatën nga e marrë nga siti zyrtar i Europolit:
“Më 9 maj 2016, 17 individë, 11 grekë e gjashtë shqiptarë, nga një rrjet krim i organizuar, u arrestuan në një operacion të udhëhequr nga Greqia, të mbështetur nga Shqipëria, Belgjika dhe Europol”.
“Edhe për mjetin e përgjigjimit, në gjuhë të huaj do ta lexosh të vërtetën. Unë të lexoj nga dokumente zyrtare, ti lexon nga ajo “mrroklla” (tableti) që ke në dorë”, tha Rama.
D.I.