Liqeni Artificial i Tiranës tashmë nuk është vetëm një “pellg uji” i ndotur, por mesa duket ai po shkon në parametrat e tij normale të një ujëmbledhësi ekologjikisht te pastër. Këtë e vërteton edhe largimi prej tij i erës së rëndë moçalore, pasi makineritë e pastrimit të tij kanë bërë punën e tyre, por edhe shtimi çdo ditë i amatorëve peshkatare. Unë e vërej ndryshimin sepse dal mbasditeve për vrap në ambientet e gjelbëruara në kodrat e tij.
Dje më rastisi ta ndal vrapin prane ujrave të këtij liqeni e të ndjek për disa minuta dy peshkatare të vengjël, dy adoleshente. Po përpëliteshin buze ujrave dhe mundoheshin të nxirrnin në sipërfaqe një grep. U bëra kurjoz dhe qëndrova. Kur grepi doli në sipërfaqe, në fund të tij u shfaq një peshk i madh rreth 2 kg. Djemte e nxorrën në sipërfaqe, në asfaltin e rrugës dhe i hoqën grepin nga goja.
U mblodhën shumë kalimtare që shprehnin habinë e tyre që në liqenin e Tiranës të kishte peshk me përmasa të tilla. Unë shkrepa disa herë aparatin e celularit dhe bëra këto foto. Nisa përsëri vrapin duke lënë kureshtarët dhe peshkatarët në diskutimin e tyre që tashmë kishte marre dhe nuanca hiperbolike për madhësinë e peshkut në këtë liqen. U gëzova që pashe një krijesë aq të madhe në një vend ku unë vrapoj çdo ditë. (atsh /r.a)