Sonte në Zululand-in e Mustafa Nanos ishte i ftuar gazetari i njohur Sokol Balla. Si po qeveris dyshja Rama-Meta? Roli i opozitës së Lulzim Bashës dhe ndërhyrja ndërkombëtarëve për Reformën në Drejtësi?
Në bashkëbisedim Nano u ndal tek mënyra e qeverisjes së Edi Ramës, por që Sokol Balla nuk mund ta komentonte këtë qeverisje në këto 30 muaj, por mund të ndalej në gjëra konkrete për të ofruar mendimin e tij.
Nano dha mendimin e tij se Rama ka dy armiq: Një paaftësinë e tij dhe e dyta sabotimin e Berishës. Apo siç e tha më ndryshe “Rama është ‘sanduiç’ mes paaftësisë së tij dhe sabotimit të institucioneve të Berishës”.
Ndërsa Sokol Balla tha se Rama e ka pranuar edhe vetë se është i paaftë për të qenë një politikan.
“Paaftësia e Ramës për të qenë politikan është një paaftësi që ai nuk e ka fshehur dhe e ka pranuar më sakt se nuk është paaftësi por është zgjedhje që ka bërë. Ka thënë unë nuk jam politikan, nuk jam politikan tradicional”, u shpreh Balla në studion e Zululand.
Madje Balla tha që Rama e quan veten misionar, por harron të bëjë edhe gjërat për të cilat populli e ka votuar. “Ai e quan veten misionar për të bërë disa gjëra për ta ndryshuar Shqipërinë në mënyrën si ai e mendon. Problemi është që kujt i bie të jetë kryeministër, nuk mund të bësh thjesht gjërat që ti mendon, ti duhet të bësh dhe gjërat që mendojnë dhe ata që të kanë votuar ty”, tha gazetari Balla.
Në pjesën e parë Nano dhe Balla u ndalën edhe pak të çështjet private sa i takon marrëdhënies me fenë por edhe jetës personale, që Balla tha se kërkon të qëndrojë larg vëmendjes mediatike. (tema)