Deputeti socialist, Pandeli Majko dhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ishin dje për 30 minuta në një takim të pazakontë, ku siç deklaruan pas takimit kanë folur për Asamblenë Parlamentare të NATO-s, që do të zhvillohet në Tiranë.
Pandeli Majko e konsideron veten si kandidat potencial i të majtës për President të Republikës vitin e ardhshëm. Ai ka preferuar që ftesën për të marrë pjesë në Asamblenë Parlamentare të NATOs, të mos ia dërgojë kryetarit të opozitës me postë zyrtare, por duke ia dhënë vetë ballë për ballë në një ambient publik me frekuentueshmëri të lartë për politikën dhe median, siç është hotel “Rogner”.
Në kulmin e debatit politik, kur opozita akuzon Kryeministrin Rama për përgjime telefonike të politikanëve dhe diplomatëve të huaj, të lidhjeve së tij me Klement Balilin për trafikun e drogës, por dhe me Emiljano Shullazin, Majko zhvillon një takim publik me kreun e opozitës, duke treguar se është një bashkëbisedues pa komplekse dhe me kundërshtarin politik të partisë së tij.
Si një politikan me tone pajtuese, Majko është në pritje të një propozimi nga Kryeministri Rama për postin e Presidentit, duke e konsideruar edhe LSI-në e Ilir Metës mbështetëse të tij, me të cilin kanë nisur rrugëtimin politik në forumin rinor eurosocialist.
Por edhe kreu i opozitës, Lulzim Basha, nuk e ka refuzuar takimin në publik me Majkon, duke treguar edhe ai nga ana e tij se është një bashkëbisedues konstruktiv me eksponentë të Partisë Socialiste të papërfolur për afera pushteti, edhe për faktin se Majko ka preferuar të mbetet deputet dhe jo pjesë e kabinetit qeveritar.
Mësohet se ka qenë kërkesa e Pandeli Majkos, dy herë kryeministër gjatë qeverisjes së parë të socialistëve, aktualisht kryetar i delegacionit të Kuvendit me NATO-n e që do të jetë mikëpritësi i Asamblesë Parlamentare, i cili ka kërkuar që të takojë kreun e opozitës për t’i dhënë ftesën e pjesëmarrjes së tij në këtë aktivitet që do të zhvillohet në fund të muajit maj në Tiranë.
DEKLARATA
Nga filmimet e marra gjatë këtij takimi duket qartë pasioni politik në bisedën mes tyre, ndërsa në fund të tij, ai që ka marrë iniciativën për t’i komentuar ata për mediat ishte kryetari i PD-së, Lulzim Basha.
Ai foli me nota pozitive për kontributin në politikë të Pandeli Majkos. “Pranova me kënaqësi ftesën e zotit Majko për të diskutuar për një ngjarje të rëndësishme për Shqipërinë, siç është Asambleja Parlamentare e NATO-s në Tiranë, por edhe çështje të ndryshme të aktualitetit politik. Respektoj kontributin e zotit Majko ndër vite dhe shpresoj që komunikimi politik normal kur qëndrimet politike janë krejt të kundërta të mos përbëjë lajm në Shqipëri”, tha Basha pas takimit.
I pyetur nga gazetarët, Pandeli Majko vetëm ka pohuar se “axhenda e takimit ishte Asambleja Parlamentare e NATOs”. Por edhe pse ish-kryeministri socialist i ka kërkuar Lulzim Bashës pjesëmarrjen në Asamblenë Parlamentare të NATOsë, kreu i opozitës nuk e ka të sigurt nëse do të jetë apo jo në këtë aktivitet të rëndësishëm.
“Më ka ftuar, por do të shikoj nëse do të kem mundësinë për rakordim të axhendave, sepse kam dhe një axhendë politike me Partitë Popullore Europiane në të njëjtat data”, u shpreh Basha, i cili më pas u nda miqësisht me deputetin socialist Pandeli Majko. Panorama/a.k