EKSKLUZIVE/ Ish-kryetari i Gjykatës së Kasacionit dhe juristi i njohur Zef Brozi i ka dërguar Javanews propozimin që ai i ka përcjellë Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi, në lidhje me njërën ndër pikat më të debatuara, atë të shumicës së zgjedhjes së gjyqtarëve e prokurorëve. Ja letra e plotë e z.Brozi:
Të nderuar Kryetar dhe anëtarë të Komisionit Parlamentar të Reformës në Drejtësi,
Sëpari ju përgëzoj miqësisht për profesionalizmin dhe përkushtimin që po tregoni në finalizimin e Draftit të Reformës në Drejtësi. Unë dhe të gjithë shqiptarët,brenda e jashtë vendit tonë të dashur, duhet t’u jemi shumë mirënjohës ju si Komision Parlamentar i Reformës në Drejtësi, ekspertëve shqiptarë dhe atyre të OPDAT e EURALIUS, Komisionit të Venecias dhe ambasadorëve Lu e Vlahutin, për kontributin e madh qe po jepni në miratimin sa më të shpejtë të Reformës në Drejtësi. Nëse reforma vonohet edhe më tej, Shqipëria do të humbasë shansin e madh të pranimit në Bashkimin Europian dhe të mirave që vijnë me këtë anëtarësim. Unë besoj se ju si Komision dhe Parlamenti shumë shpejt do ta miratoni Refomën, sepse Reforma në Drejtësi bëhet për Shqipërinë dhe të gjithë shqiptarët pa dallim, jo për parti politike dhe individë!
Meqenëse mazhoranca dhe opozita akoma nuk kanë rënë dakord për numrin e votave 3/5 apo 2/3 për zgjedhjen nga Parlamenti të disa gjykatësve, prokurorëve e personave të tjerë që parashikon drafti, unë miqësisht do ju bëja këtë propozim, nga i cili edhe opozita fiton dhe mazhoranca nuk duhet ta kundërshtojë:
« Gjyqtarët dhe personat e tjerë që propozohen për t’u zgjedhur nga Kuvendi, zgjidhen me më shumë se 3/5 e votave të Kuvendit…”
Në këtë mënyrë mazhoranca tregon se ka vullnet dhe bën kompromis me opozitën, ndërsa opozita duhet të ndjehet tepër e kënaqur sepse me insistimin e saj votimi ne Parlament do kerkojë jo 3/5 e votave sa parashikon drafti i sotëm dhe sa insistonte mazhoranca, por më shumë se 3/5 e votave, ndonëse jo 2/3 e votave sa insitonte opozita. Me këtë zgjidhje si opozita, ashtu edhe mazhoranca duhet të ndjehen fituese. Por më kryesorja është se Shqipëria fiton nëse Parlamenti e miraton Reformën sa më shpejt, mundësisht brenda muajit Maj 2016!
Suksese dhe gjithë të mirat per ju familjarisht,
Miqësisht,
Zef Brozi