Bashkia e Tiranës ka nderuar gazetarin, historianin dhe akademikun anglez, Sir Noel Robert Malcolm, me “Çelësin e qytetit” për kontributin që e dhënë me studimet e tij për historinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ai u prit në një takim të veçantë nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili i shprehu mirënjohjen për trajtimin Malcolm i ka bërë historisë së shqiptarëve në librat e tij “Një histori e shkurtër e Kosovës” (Kosovo: A short history) dhe “Agjentë perandorakë”. Kryebashkiaku Veliaj e cilësoi historianin anglez si një nga miqtë më të mirë të qytetit të Tiranës.
“Miqtë duhen për të rrëfyer historinë dhe ndoshta janë edhe më transparentë në mënyrën se si e shohin atë. Në një vend si Tirana, apo në trojet shqiptare në Kosovë dhe Malin e Zi, kemi ngut për të bërë gjëra për të ardhmen, por ndonjëherë duhet ta kthejmë pak kokën pas për të kuptuar se çfarë kemi bërë në të kaluarën, cila është historia jonë, sepse nuk jemi rastësisht këtu. Kërkimet e profesor Malcolm-it na kanë mësuar se ky vend, ky rajon, ka qenë gjithmonë kështu, me të njëjtat dinamika”, pohoi Veliaj.
Profesori Noel Malcolm falenderoi kryebashkiakun Veliaj për nderimin që iu bë nga Bashkia e Tiranës me dhënien e simbolikës së qytetit. “Jam shumë i lumtur që jam në Tiranë për promovimin e librit dhe gëzohem shumë që kam ardhur këtu në Bashki për një nder të madh që ishte i papritur për mua. Ndaj ju falenderoj shumë”, tha ai.
Vlerësime për historianin shprehu edhe botuesja Arlinda Dudaj: “Shpreh falenderimet e mia për Noel Malcolm-in, i cili ka sjellë një dhuratë kaq të çmuar për të gjithë ne shqiptarët kudo ku jetojmë, librin e tij “Agjentë perandorakë”, një libër që erdhi pas kaq shumë kërkimesh, pas një pune shumë skrupuloze. Po ashtu, falenderoj edhe kryetarin e Bashkisë që e vlerësoi qytetarinë e madhe të z. Malcolm”, tha ajo.
Sir Noel Robert Malcolm është gazetar politik, historian dhe akademik. Ai mori titullin “Sir” për shërbime ndaj akademisë, gazetarisë dhe historisë europiane. Dy librat më të rëndësishëm për rajonin deri më sot janë “Bosnia: A short history” dhe “Kosovo: A short history”. Libri i tij i fundit titullohet “Agjentët Perandorakë”, i cili ka në qendër dy familje shqiptare nga Ulqini. (javanews.al / r.a)