“E mrekullueshme”, “e paarritshme”, “drithëruese”… Vlerësimet me superlativa do të shoqëronin çdo interpretim të Ermonela Jahos, që nga “Royal Opera House” në Londër, tek Opera e Berlinit, e Parisit, Nju Jorkut…, në çdo skenë ku ajo do të ngjitej.
Në rolin e kurtizanes Violetë, të Suor Angelicas, të Fluturës Cio Cio Sun… Dhe kishte ardhur momenti që sopranoja shqiptare të merrte vlerësimin që i kishte munguar, një “Oscar”. “International Opera Awards” vlerësohet si çmimi më i lartë që jepet në fushën e operistikës këto vitet e fundit. Pjesë e garës bëhen këngëtarët lirikë më të njohur në botë, orkestrat, dirigjentët, teatrot, korin, kostumografët…
Edicioni i këtij viti u zhvillua mbrëmjen e së dielës në “The Savoy Theatre” në Londër. Një mbrëmje gala, prej nga erdhi lajmi i mirë për sopranon, por edhe për të gjithë shqiptarët, që gjatë gjithë ditës së djeshme gjetën një subjekt, për të cilin ia vlente që të gëzonin, në një atmosferë tollovie lajmesh të turpshme. Sopranoja është shpallur fituese e çmimit të publikut kategorinë “Reader’s Award”.
Ermonela Jaho ishte në garë krah emrave të njohur të muzikës lirike ndërkombëtare Juan Diego Flórez, Danielle De Niese, Joyce Di- Donato, Michael Fabiano, Gerald Finley, Dmitri Hvorostovsky dhe Eva-Maria Westbroek. Ajo u dominua për këtë çmim nga juria e “International Opera Awards”, me kryetar John Allison, kryeredaktor i “Opera Magazine” dhe kritik i muzikës klasike në “The Daily Telegraph”.
Votimi i publikut nga mbarë bota u zhvillua online. Pasi ka tërhequr trofeun dhe ka falënderuar gjithë ata që e kanë votuar, Ermonela Jaho ka kënduar “Un bel di” nga “Madamma Butterfly”, e shoqëruar në piano nga Roger Vignoles. “Heshtje totale kur këndon Ermonela Jaho”, shkruan IOA.
E më pas, ovacione. Duartrokitje të forta, që pasohen nga një tjetër interpretim i veçantë i aries “Mamma usciva da casa” nga opera e kompozitorit italian Ruggero Leoncavallo, “Zaza”. Një interpretim, që, siç njofton “International Opera Awards”, ka mallëngjyer spektatorin në sallë. Interpretimi i Jahos ishte një ogur i mirë për gjithë mbrëmjen.
FALËNDERIME
“Dua të falënderoj të gjithë admiruesit e artit tim nëpër botë, dhe veçanërisht në Shqipëri, për mbështetjen dhe dashurinë… Kushdo që i dedikon jetën pasionit të tij, është gjithmonë fitues… Ju dua të gjithëve!”, do të shprehej sopranoja Ermonela Jaho, e cila për asnjë moment nuk e harron origjinën e saj dhe nuk harron të falënderojë publikun shqiptar, që e ka mbështetur që në daljen e saj të parë në skenë, deri në shkëlqimin e saj botëror. Ishin të shumta urimet që sopranoja do të merrte dje.
Faqet e saj në rrjetet sociale do të mbusheshin me qindra urime nga njerëz të njohur dhe të panjohur që shprehnin krenarinë që ajo i përfaqëson denjësisht nëpër botë. Ndër të parat që i përcollën urimet, menjëherë pas dhënies së çmimit, ishte ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, sipas së cilës lajmet e mira vijnë vetëm nga kultura. “E lumtur për yllin shqiptar të Operës Botërore që fitoi çmimin e madh!”, shkruan Kumbaro. Urime i shkojnë edhe nga Kryeministri i vendit, Edi Rama, i cili shkruan në faqen e tij në “Twitter”: “Fituese me votat e publikut të çmimit më prestigjioz ndërkombëtar të operës. Të lumtë!”.
FESTË RRJETESH
Ashtu si për një ndeshje të Kombëtares, edhe fitorja e Ermonela Jahos krijoi të njëjtën atmosferë në rrjetet sociale. Ishte bukur që të paktën aktivistët e rrjeteve sociale filluan të merren me kulturën dhe i harruan për një moment të mbathurat e Shukriut, apo të pasmet e ndonjë “sex bombe”.
Por edhe këtë herë nuk mungoi një lloj histerie. Bashkë me urimet e shumta, faktin se sa krenarë ndihemi me Ermonelën, e të tjera si këto, kishte nga ata që fajësonin shtetin shqiptar se nuk e ka përkrahur sa duhet, ndërsa të tjerë fajësonin mediat se nuk kanë shkruar sa duhet për Ermonelën, vite më parë, në një kohë që e vërteta është që mediat e kanë dashur Ermonelën dhe e kanë mbështetur, përkundër xhelozive të njerëzve të vegjël, stërkëmbëshat e të cilëve nuk mund të ndalnin fluturimin e Ermonelës.
Ashtu si fakt kanë mbështetur me sa kanë mundur edhe me Inva Mulën, apo Saimir Pirgun. Por zhurma është e madhe në raste fitoresh ose humbjesh. Në një kohë që në rastin e Ermonelës, axhenda e saj është e mbushur me raste pa fund “fitoresh”. Çdo ngjitje e saj në skenë është një sukses, me të cilin mund të mbushet Facebook-u, çdo ditë.
Panorama/d.i.