Kompanitë e ndërtimit të rrugëve dhe bizneset e tjera që janë të lidhura me sektorin janë përfshirë në konflikte gjyqësore si asnjëherë më parë me Autoritetin Rrugor Shqiptar.
Sipas të dhënave nga ARRSH vetëm gjatë vitit 2015 janë hapur 85 çështje gjyqësore të reja përveç atyre të mbartura nga viti paraardhës, të cilat janë në gjykim ne shkallën e parë dhe në Apel.
Sipas dhënave zyrtare në total gjatë vitit 2015 janë fituar 25 (njëzet e pesë) çështje gjyqësore në Shkallën e Parë si dhe në Gjykatën e Apelit.
Ndërkohë që janë humbur në Shkallë të Parë të gjykimit 15 (pesëmbëdhjetë) çështje për të cilat është paraqitur Ankim para Gjykatës Administrative të Apelit dhe vazhdon gjykimi për pjesën tjetër të çështjeve.
Më 2015 për vendimet gjyqësore janë çelur fonde në vlerën 104,489,653 lekë dhe kjo vlerë është paguar totalisht.
Sakaq stoku i detyrimeve nga gjyqet e humbura aktualisht është 656 milionë lekë ose 4.7 milionë euro që mbeten për t’u shlyer në vijim.
Burimet pranë ARRSH-së bëjnë me dije se pjesa më e madhe çështjeve i takon ankesave të firmave për procesin e tenderimit. Kompanitë pretendojnë se tenderët janë fituar nga kompanitë që kanë dhënë vlerën më të lartë pa e justifikuar këtë me kriteret teknike./a.m.