Nga Flutura Açka
U morët me ditë të tëra me fushatën e shukrizimit, i latë punë e zanat, siç bëni përherë duke iu bashkuat parodisë së shëmtuar shqiptare, që shpesh e më shpesh na beft enkas për t’u hutuar nga gjërat esenciale. U morët me poturet, dhe jo me ato poshtë potureve që drejtojnë, në të vërtetë, vendin tonë me një dhunë autokratike të paparë në këta 25 vite.
U morët me brimën e potureve, dhe jo me brimën e xhepave tuaj të shpuar, që po ju hapet përditë e më shumë nga varfëria. U morët me fjalët banale dhe të krupshme të dialogut rruspan-e-rruspi, por jo me thelbin e fjalës së tij: “Do të hap një galeri pikturash.”
Kështu tha ai: Me një llaf do t’i bëj rrush e kumbulla paret e qytetit tim. Kjo duhet t’ju kishte shqetësuar, ky trend për art kallp mbi një varfëri ekstreme e tronditëse. Eh fundja, ai është vetëm buloni më i parëndësishëm i kësaj Qirtoreje të madhe me emrin shtet, që kemi ngritur në emër të demokracisë. A nuk është keshtu? A nuk kanë ministrat tanë, mbase, secili nga disa dashnore? Një ministër u pushua dikur sepse nga tabulatet e telefonave i dolën 4 copë të dashura që i mbante me paratë e shtetit. A nuk e dimë ne se politikanët tanë i kanë të nënkuptuar të lëvizin çdo herë me escort-girls?
Pyesni bodygardët e tyre “të kërcënuar të heshtin për vdekje” dhe do ta shihni se panorama e shtetit të ndërtuar mbi seksomaninë, është mënyra e funksionimit të tij. A nuk janë ca nga profesorët tanë të nderuar, edhe pse shpesh me prostatë, të darovitur shpesh me të tillë ëmbëlsirë për një provim?
A nuk e hedhin syrin shefat e redaksive shpesh te vajzat e reja studente që aspirojnë të jenë gazetare të pavaruara; shumë prej tyre ngaqë vendosin të mos hyjnë në këtë “provim” nuk bëhen kurrë gazetare, edhe pse mund te jenë të talentuara?
A nuk kemi ne në mes të Tiranës te blloku rreth 2000 prostituta, ma të bukurat e dheut, të gatshme për të shërbyer, të cilat kanë sekserë personalë? A nuk është bërë propogandë publike për punësime “vajzat të reja të pamartuara”, pasi janë më në dispozicion të punëve të shtetit?
Nuk e di se si ju duket juve, por mua më bie erë, edhe pse e thënë pa ndonjë sherr dhe qeder të madh. Pse bëni sikur nuk i dini, dhe merreni me shukri-ziun? Ku kemi katandisur, o Zot! Duhet një ligj i rreptë, shumë i rreptë, mbi intimidimin seksual në shtet dhe administratë kudoqoftë, shtet e privat, dhe të shënohet në kontratën e punës ky kusht, që duart e këtyre pushtëve të rrinë larg, që vajzat të shkojnë pa frikë të trokasin në dyert e shtetit.