Barazimi pa gola i arritur në Ballsh kundër Bylisit e ka shpëtuar matematikisht Flamurtarin, edhe pse është ende i arritshëm me pikë nga ballshiotët dhe Laçi. Ky i fundit është pothuajse i shpëtuar, ndërsa Bylis duhet të shpresojë vetëm te mrekullitë që të shpëtojë nga rënia në Kategorinë e Parë.
Që Bylis të shpëtojë, duhet të fitojë vetë me Vllazninë, ndërsa Laçi të humbasë me Tërbunin. Në këtë rast, do të barazoheshin me nga 35 pikë, por ballshiotët kanë rezultate më të mira në takimet direkt.
Ky është një version i thjeshtë nga ana e llogaritjeve, ndërkohë që ekziston edhe një version që përfshin edhe Flamurtarin, duke krijuar njëfarë konfuzioni. Nëse arrihen dy rezultatet e sipërpërmendura, si dhe humbja e Flamurtarit në shtëpi me Skënderbeun, do të sillte një barazim me nga 35 pikë për Flamurtarin, Bylisin dhe Laçin.
Rregullorja e së Aktivitetit për sezonin 2015-16 thotë:
Nëse dy ose më shumë ekipe kanë grumbulluar të njëjtën sasi pikësh, renditja e tyre përcaktohet duke mbajtur në konsideratë këto kritere:
a) pikët e grumbulluara në ndeshjet e zhvilluara midis ekipeve përkatëse;
b) diferenca e golave të shënuar dhe të pësuar në ndeshjet mes ekipeve përkatëse;
c) diferenca e golave të shënuar dhe të pësuar gjatë kampionatit;
d) numri më i madh i golave të shënuar gjatë kampionatit;
e) me short;
Duke llogaritur rezultatet brenda treshes, Bylis ka 12 pikë, Flamurtari e Laçi nga 10. Konfuzioni mund të jetë krijuar nga një kronikë e cila thotë se Bylis shpëton me dy pikë më tepër, ndërsa më pas llogariten rezultatet mes Flamurtarit e Laçit, ku kjo e fundit ka rezultate më të mira.
Në të vërtetë, llogaritë bëhetn vetëm brenda treshes me pikë të barabarta dhe jo në çifte, duke u marrë fillimisht për bazë pikë, e më pas golaverazhi. Midis Flamurtarit e Laçit, vlonjatët kanë golaverazhin më të mirë, 6:6, ndërsa laçianët 3:4, çka do të sillte rënien e bardhezinjve.
Matematika e lejon, por praktikisht i gjithë ky është një skenar tepër i vështirë për t’u realizuar, sepse bazohet në “misionin e pamundur” që Laçi të mos marrë në fushën e tij pikën e nevojshme për mbijetesë kundër Tërbunit, ndërsa Bylis të fitojë në transfertë kundër Vllaznisë.
Ndërkaq, edhe pse Flamurtari ka shpëtuar, përsëri ndeshja e së mërkurës kundër Skënderbeut, ku vendoset titulli, pritet të jetë intriguese. Të dyja skuadrat janë thuajse armike dhe heqja e titullit korçarëve do të kishte një shije të ëmbël po aq sa mbijetesa për vlonjatët.
Dritan Ikonomi