Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ishte sot pjesë e panairin të shërbimeve për familjen të organizuar nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Familjes. Në këtë aktivitet ku u prezantua dhe Strategjia e Re e Mbrojtjes Sociale, kryebashkiaku Veliaj ndërsa solli në vëmendje politikat sociale që po ndjek Bashkia e Tiranës, tha se ka nisur sërish shpërndarja e çekut të bebes.
“Në Tiranë rifilluam një traditë që e kishim 5 vite më përpara, e çekut të bebes, si një mënyrë për të pritur në qytetin tonë qytetarët tanë më të rinj dhe për t’iu thënë po iu fillon një llogari modeste bankare si një mënyrë për të thënë “mirë se erdhe në Tiranë”, deklaroi Veliaj. Ai theksoi më tej edhe projektet e rëndësishme si hapja e mencave sociale, shpërndarja e banesave sociale apo dhe mbështetja për komunitetin rom.
“Bashkia e Tiranës brenda këtij viti do të shpërndajë pjesën e mbetur të banesave sociale. Javën që vjen ne do të fillojmë me një lagje të re rome në zonën e Shkozës. Do të zëvendësojmë të gjitha barakat me shtëpi që kanë dinjitetin që duhet të ketë secili që ka vendosur të jetojë në Tiranë”, njoftoi Veliaj.
Kryetari i Bashkisë vlerësoi gjithashtu politikat sociale të qeverisë si pensioni social apo ndihma ekonomike. “Dua t’u kujtoj se përpara tre vitesh nuk kishte pension social, sot ka një pension social sepse është besimi i një filozofie të majtë që aty ku njerëzit nuk ia dalin dot vetë, aty ku ka një problem për vite pensionesh dhe vjetësie pune që nuk kanë mundur t’i plotësojnë atëherë sigurisht shoqëria si e tërë duhet të shtrijë dorën dhe të ofrojë diçka që secili e kishte të pamundur ta fitonte vetë. Kur vjen puna tek ndihma ekonomike, nuk është një pension i përjetshëm por është mënyra se si ne të majtët e konceptojmë ndihmën që shoqëria i jep dikujt në momentin e vet të vështirësisë, në ditën e vet të fatkeqësisë, në ato pak vite kur ka humbur punën ose ka një tranzicion ose i ka ndodhur diçka në familje”, tha ai.
Veliaj u bëri më tej apel donatorëve që t’u ofrojnë ndihmë edhe bashkive në rrethe të ndryshme të provincës ku vështirësitë dhe problemet e shoqërisë janë më të mëdha. /a.m.