Nga Ben Andoni
Katandisja e protestës së opozitës kosovare me vetëm dy parti është lajmi i keq, por jo i fundit, për bllokun opozitar. Edhe pse mëtoi se kishte para vetes objektiva të mëdha, që në fakt do t’i përsërisë edhe të shtunën para publikut të vet, madje edhe me pretendimin për pjesëmarrje të madhe, kosovarët i kanë lënë të zhgënjyer në thelb. Jo se nuk ishin të përgatitur, porse mendonin se në këtë mandat legjislativ, do kishte reflektime.
Gjithsesi, platforma opozitare që duhej të drejtohej dhe kanalizohej me shqetësimet e vërteta të kosovarëve e ka marrë pa asnjë arsye rrjedhën vetëm kah sloganeve për Demarkacionin edhe Asosacionin serb. Të dyja kushte që janë cilësuar nga SHBA, aleati më besnik i Kosovës, se nuk do të përkrahen nëse do të cenohet pavarësia e Kosovës. Ani edhe kjo dëshmi fondamentale nuk ka vlejtur që politikanët e opozitës kosovare të nguteshin e të gjenin alternativa ideore, që t’u përshtateshin realisht kushteve të Kosovës. Pasi lufta kundër korrupsionit, varfëria, papunësia dhe humbja e shpresës mjaftonin për një bllok solid. Por të jemi të sinqertë me argumentin tonë: AAK-ja dhe Nisma, treguan se janë parti që i shkojnë më shumë frymës së PDK-së dhe kurrsesi Vetëvendosjes, që synon të konsolidohet majtas, por ende pa politika të majta të vërteta dhe në një konfuzion organizimi. Deri më tani, dy kundërshtitë bënë që politikanët kosovarë të opozitës të bënin disa veprime të përbashkëta që kulmuan me bllokimin e vazhdueshëm të parlamentit dhe protestat që degjeneronin në dhunë. Por edhe arritën të vetmen gjë: ta përçanin Kosovën. E gjithë kjo rrugë pa krye dhe pa u freskuar bëri që tashmë partitë kosovare ende pa u afruar zgjedhjet (me shumë gjasa sezoni tjetër vjeshtor do t’i kërkojë zgjedhjet e parakohshme për të konsakruar strukturën e re politike) të fillojë një trafik anëtarësh. Opozita kosovare po ka rrjedhjet më të çuditshme brenda llojit nga njëri formacion i saj në tjetrin, duke ofenduar njëri-tjetrin pa princip, por edhe që i ka treguar politikanët kosovarë të duken në stade krejt parapolitike. Me ato motive që kanë qenë anëtarë të një partie, me të njëjtat syreshët e kanë braktisur, madje deri në kryetarë grupesh parlamentare. Kjo s’quhet më demokraci!
Shembujt kanë qenë të shumtë ditët e fundit, por të gjitha kanë nxjerrë në pah interesat e vërteta, që kanë të bëjnë me kapjen e kreut të ekzekutivit kosovar dhe derivateve të tij. Një fakt që tashmë është edhe më i vështirë pasi PDK-ja dhe LDK-ja janë më të zgjuara dhe më të konsoliduara me këtë konfiguracion pushteti, sepse ia dolën t’i menaxhojnë kapriçiot e Opozitës, që nuk u bënë kurrë ide. VLAN, siç quhej kohë më parë blloku i opozitës kosovare, katandisur me AN (akronimet e dy partive të mbetura, me dy kryetarët e dalë nga lufta) është thjesht jodemokratik në vetë organizimet e tyre dhe si mund të jenë për Kosovën. Me pak fjalë, alternativa e vërtetë sociale, politike, shoqërore për Kosovën mungon krejt dhe kjo protestë e sforcuar paçka numrave është zhgënjimi më i madh për opozitën kosovare dhe mënyrën sesi po bëhet politika në Kosovë.