Teologu Ermir Gjinishi ka shpjeguar për Rudina Xhungën rrezikun që i kanoset Shqipërisë nga ekstremizmi islamik, ndërkohë që beson se janë pak ata shqiptarë që bashkohen me ISIS për përfitimie financiare.
Përshëndetje z. Gjinishi. Do të donim të kishim disa përgjigje prej jush për shumë pyetje që kanë në Itali, rreth çështjes Shqipëria dhe ISIS. Nisim me refugjatët sirianë? A mundet që këta emigrantë që vijnë në Greqi, të përdorin Shqipërinë si një urë për të kaluar në Itali?
Sigurisht që është një proces humanitar, por unë nuk besoj që Shqipëria, si shtet, ka kapacitetet e nevojshme për të përballuar një fluks të madh refugjatësh sepse nuk bëhet fjalë për disa qindra, por për një numër të madh. Shqipëria e ka provuar edhe eksodin e Kosovës, por ishte krejtësisht tjetër gjë, sepse ishte një lidhje ndryshe. Nga ana tjetër, çështja e rrezikut të korridorit të trafikut ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë, është një mundësi e hapur sepse shteti shqiptar është i dobët, shteti shqiptar nuk funksionon ashtu siç duhet. Po të kishte funksionuar shteti shqiptar ne sot nuk do kishim disa qindra shqiptarë që po luftojnë përkrah ISIS.
Shqiptarët shkojnë në Siri për luftë fetare, apo para?
Unë mendoj që arsyeja themelore e prezencës së shqiptarëve në Siri nuk ka të bëjë me interesat financiare. Sigurisht që mund të jetë një pjesë shumë e vogël, sepse pyetja e logjikshme nëse do të ishin interesat financiare primare, do të ishte, sa paguhen këta njerëz. Ata nuk janë mercenarë.
Unë mendoj që janë myslimanë të keqformuar dhe të keqkuptuar fetarisht. Është një doktrinë që ka ekzistuar gjithmonë, që ka nisur qysh në shekullin e 7-të me një grup që quhen Hauarixh të cilët legjitimojnë apostazinë, vrasjen e njerëzve që nuk janë si ata. Sigurisht që pjesa kryesore e atyre që vrasin janë myslimanë që nuk i binden doktrinës së tyre. Kjo doktrinë është shuar ose ndjekësit e saj hera herës janë shuar, por ka ekzistuar si doktrinë dhe në kushte politike, rrethana të caktuara ajo ka lulëzuar sërish.
Kjo është edhe arsyeja që doli në Siri sepse Siria humbi kontrollin, u bë një anarki e plotë, opozitë siriane nuk kishte, kulturë pluraliste nuk kishte. Atëherë, forcat islamike që u futën në terren, ndërmjet tyre hynë dhe grupe të tjerat cilat degraduan dhe këto kanë luftuar, po ta shikoni, me të gjithë, sidomos me myslimanët.
Madje edhe mes njeri-tjetrit, përplasja e parë brenda tokës së Sirisë ishte midis Nusras dhe pjesës së Bagdadit.
Lufta fetare dhe lufta ideologjike janë pleksur të dyja. Ajo ka filluar si një konflikt politik. Sigurisht që nuk është aq e thjeshtë sepse nuk bëhet fjalë konflikti që ka Asadi me popullin e tij si një sistem diktatorial, por aty u pleksën edhe interesat për dominim të Rusisë, Iranit, nga ana tjetër, edhe e pjesës së Gadishullit, sunitët me shiitët,e kështu me radhë.
Historikisht, kur Siria ka qenë arenë përplasjesh brenda saj ka pasur shumë interesa. Për mendimin tim, aktualisht çështja ka degraduar në një përplasje me një grup shumë të devijuar terrorist të cilin e mban në këmbë vetëm një keqkuptim fetar dhe asgjë më tepër.
Shqipëria sot diskutohet shumë dhe konsiderohet një nga qendrat ku ka më shumë myslimanë, ndoshta në të gjithë Evropën. Ndërkohë mendohet se myslimanët në Shqipëri rekrutohen për të luftuar në Siri. Si informohen myslimanët që shkojnë më pas për të luftuar në Siri, shohin internetin, mësohen nga dikush këtu në Shqipëri, nga ndonjë imam apo si?
Fillimisht do të thosha që Shqipëri nuk është një vend mysliman, Shqipëria është një vend multifetar ku sigurisht myslimanët përbëjnë mazhorancën, por në çdo vend të botës ka një mazhorancë fetare. Ajo që e dallon Shqipërinë nga Evropa dhe nga shumë vende të tjera, sidomos vendet e ish perandorisë osmane, është mirëkuptimi fetar. Ju më pyesni si kanë ndodhur rekrutimet. Rekrutimet nuk janë të ngjashme siç kanë ndodhur në Evropë, Shqipëri apo në tokat e gjirit sepse në tokat e gjirit, ose në gadishullin arab, rekrutimet janë një mënyrë shprese, një mënyrë jetese, njerëzit nuk kanë ku të punojnë dhe atje është elementi financiar primari. Mendoj se në pjesën më të madhe të Evropës problemi kryesor është mungesa e integrimit të këtyre njerëzve, por këto kanë edhe një dualizëm brenda vetes, për hir të së vërtetës sepse kur një maroken shkon në Marok, për shembull, i thonë “ja, erdhën këto evropianët e pispillosur” dhe kur shkojnë në Evropë i thonë “ti je një maroken, një saraçen i vjetër”.
Këto janë disa paragjykime që ne nuk mund t’i përjashtojmë, por mendoj që pjesa kryesore është që ata janë të paintegruar. Një pjesë e madhe, sidomos në Francë dhe Belgjikë, është rasti që këto janë organizuar në disa kantone të mbyllura, të getonizuara dhe sigurisht që e kanë ndjerë veten të përjashtuar nga pjesa tjetër e shoqërisë dhe qysh këtu fillon një imazh tjetër i këtyre njerëzve.
Ndërsa rasti i Shqipërisë është tjetër, mendoj.
Shqipëria, pas një mungese të lirisë fetare, gati 40 vjet, e rifilloi fenë. Çështja e bashkëjetesës fetare në Shqipëri është çështje historike. Ne akoma nuk e kemi provuar fetarisht, sesa të mirëkuptues jemi njeri me tjetrin. Kështu që mendimi fetar në Shqipëri është akoma i pastabilizuar.
Ne kemi pasur disa raste ku kanë tentuar të krijojnë konflikte në Shqipëri komunitetet fetare, jo të përmasave të mëdha, por kanë qenë simbol e kësaj risie që kemi, të kësaj kohe shumë të shkurtër në fe.
Për sa i përket pjesës myslimane, mund të themi që nga viti ’90 e deri këtej, tradita doktrinare dhe teologjike ka ndryshuar, nuk është më e njëjta, pra janë futur mendime, rryma të reja, globalizmi bën punën e vetë, bota është shumë më e hapur tani. Kjo formë liberale e botës sikur ka krijuar gjithë korridoret dhe hapësirat për depërtimin e të gjitha këtyre ideve. Kështu që mendoj që faktori kryesor i rekrutimit ose krijimi i kësaj mendësie në Shqipëri, kanë qenë këto doktrina që kanë qarkulluar në Shqipëri, por pjesa më e madhe janë viktima të keqkuptimit të teksteve dhe sidomos ka pasur një vakum nga institucioni i cili përgjigjet për çështjet fetare në Shqipëri.
Domethënë, Komuniteti Mysliman nuk ka bërë shpjegimet dhe orientimet e duhura për besimtarët myslimanë mbi qëndrimet që duhet të mbajnë lidhur me konfliktin e Sirisë.
Nga ana tjetër, edhe institucionet e shtetit kanë qenë të dështuara sepse çështja nuk është që ne erdhëm brenda një dite dhe u bëmë terroristë ose patëm një grup që shkuan terroristë. Ne kaluam nga radikalizmi në predikim, në terrorizëm dhe radikalizmi tek ne është shfaqur disa vite rresht, ka nxitur urrejtjen ndërfetare, ka fyer, pra ka bërë shkelje të kushtetutës haptazi dhe institucionet e shtetit nuk kanë funksionuar.
Ky është rreziku i të ardhmes së Shqipërisë sepse në qoftë se nuk do të kemi një referencë fetare nga komuniteti përkatës dhe funksionimin e institucioneve shtetërore, kjo dera e manipulimit fetar do të jetë gjithmonë e hapur dhe do të rrezikojë gjithmonë myslimanët shqiptarë që të gënjehen, manipulohen, të indoktrinohen negativisht dhe të marrin të tilla forma.
Në Shqipëri, nuk mendoj që është elementi parësor gjendja ekonomike. Në dijeninë time, unë njoh shembuj që jo vetëm kanë qenë shumë mirë financiarisht në Shqipëri, madje kanë shitur pronat e tyre, kanë marrë paratë dhe kanë shkuar të jetojnë në Siri, sepse u krijua ideja që ISIS do krijojë një shtet islamik në Siri. Sigurisht që këtu ka vendin e vet edhe zhgënjimi me autoritetet politike dhe destabiliteti politik, gjendja ekonomike, të gjitha ndikojnë, mungesa e së drejtës, dështimi i institucioneve të drejtësisë, të gjitha këto ndikojnë, por duke pasur parasysh që të gjithë këto njerëz janë besimtarë dhe janë nisur nga xhamitë, atëherë faktori i parë që ka ndikuar, ka qenë faktori fetar.
Cili është dallimi mes ektremizmit të shqiptarëve të Kosovës me të Shqipërisë?
Mendohet, por nuk është thjesht vetëm një mendim, që shqiptarët e Kosovës kanë krijuar një grup të vetin, që drejtohet dhe komandohet nga shqiptarë. Fakti që shpallja e shteti islamik, fjalimi i parë i Al Baghdadit, u bë në pesë gjuhë dhe një nga ato ishte gjuha shqipja, tregon që shqiptarët kanë një vend të veçantë.
Në dijeninë time, aq sa mund të kem, vetë ISIS-i ose krerët e ISIS-it ankohen nga shqiptarët sepse janë të padëgjueshëm, josistematikë dhe veprojnë krejtësisht të ndarë, është pjesa më ekstreme, por njëkohësisht është edhe pjesa më kamikaze, më e afërt e Baghdadit. Kështu që është e vërtetë, pjesa e shqiptarëve të Kosovës është shumë problem.
Ka një dallim midis organizimit të ekstremizmit në Shqipëri dhe në Kosovë, pavarësisht se ne jemi një gjak. Në Kosovë, pjesa më e madhe e interpretimeve radikale ndodhin nëpër xhamitë, që janë nën autoritetin e Komunitetit Mysliman të Kosovës ndërsa në Shqipëri këto fenomene u shfaqën në xhamitë që janë jashtë autoritetit të komunitetit mysliman. Kështu që në Kosovë do të duhej që shteti të ndërhynte shumë kohë më përpara dhe komuniteti fetar të ndërhynte kohë më përpara. Por ndoshta, mendoj që komuniteti fetar atje është shumë i ngarkuar politikisht dhe nuk po bën siç duhet ndarjen midis fesë dhe shtetit ose fesë dhe politikës kryesisht. Duke shfrytëzuar mangësitë dhe problemet politike që ka Kosova brenda vetes po rritet edhe dominimi i botës religjioze në hapësirat publike që nuk duhet të jenë religjioze.
Kjo, si duket, ka ushqyer edhe lakmitë e mëtejshme dhe rritjen e radikalizmit në Kosovë.
Në Kosovë futën 20 imamë në burg, por i nxorën më pas, ata duhej të rrinin brenda, duhej të rrinin në burg.
Sulmi në Bruksel është përgëzuar në disa gjuhë, ndër të cilat edhe në shqip. Është kurioze të kuptojmë pse është falënderuar për sulmin në gjuhën shqipe, meqenëse Shqipëria është një zonë e vogël e botës.
Unë mendoj që qenia e shqiptarëve myslimanëve autoktonë të vetëm në Evropë, ajo pjesë që është pavarësisht historikut dhe karakteristikave paqësore që ka pasur islami shqiptar, mund të shfrytëzohet nga ISIS, sidomos tani që ka një numër të konsiderueshme shqiptarë të Shqipërisë që luftojnë në Siri, kështu që ato mund të interesohen që ta mbajnë gjallë këtë vatër në Shqipëri. Kjo është edhe arsyeja që një nga deklaratat që u bë për sulmet e Brukselit ishte në gjuhën shqipe, por ka edhe diçka tjetër, sepse e gjithë pjesa dogmatike e ISIS-it është një manipulim fetar. Ka një profeci të vjetër që ata e shfrytëzojnë, që hapja e perëndimit do të ndodhi nga bregu përballë Romës dhe bregdeti përballë Romës jemi ne shqiptarët.
Mirëpo kjo nuk është e thënë që të ndodhi kështu, edhe ky është një keqinterpretim i tekstit, është tekst profetik.
Lidhur me numrin e shqiptarëve të Shqipërisë mendohet të jenë diku tek 100 persona edhe pse nuk ka një shifër ekzakte. Problem i madh është që një pjesë e personave të vrarë kanë familjet atje dhe shteti shqiptar duhet të marrë masa që ata të kthehen, aq më shumë që pjesa tjetër, pasi ka edhe një pjesë tjetër të madhe që kanë shkuar dhe janë kthyer në Shqipëri para se të miratohen ligjet e terrorizmit, shteti shqiptar nuk ka bërë asnjë plan për rehabilitimin e tyre dhe ky është një problem shumë i madh. Ne sot nuk kemi asnjë strategji, as për ta luftuar terrorizmin dhe as për të rehabilituar ato që kanë qenë viktima të terrorizmit dhe janë kthyer nga ajo botë dhe jetojnë midis nesh.
Që do të thotë janë celula në Shqipëri?
Jo, nuk janë celula. Shiko, është shumë e vështirë, të marrësh një vendim për të shkuar në luftë dhe ta ndjesh veten të zhgënjyer e të kthehesh sërish atje ku ke qenë. Ky është një vendim shumë i vështirë dhe këto njerëz vuajnë nga personalitete të shumëfishta brenda vetes së tyre, ata kanë nevojë për mbështetje, kanë nevojë të mos ndjehen pjesë e përjashtuar brenda shtetit të tyre dhe ne nuk kemi fare programe rehabilituese për to.
Po numri i të gjithë shqiptarëve, në Shqipëri, Maqedoni, Kosovë që kanë shkuar sa mund të jetë?
Nuk ka një numër ekzakt, por mendohet të jenë 400-600 shqiptarë ku pjesën më të madhe e përbëjnë shqiptarët e Kosovës.
Unë personalisht mendoj që janë diku tek 1000 vetë, por nuk ka rëndësi.
ISIS-i realisht nuk ka armikun më të madh krishterët dhe perëndimin, por ka botën myslimane sepse edhe lufta, qysh në momentin që u shfaq, u shfaq në Irak, pastaj kaloi në Siri dhe gjithë masakrën më të madhe ISIS e ka bërë ndërmjet myslimanëve.
Pra ISIS është një fraksion që ka legjitimuar vrasjen e të gjithë atyre që janë kundër doktrinës së ISIS-it dhe kundërshtarët e parë të doktrinës së ISIS-it janë myslimanët kështu që viktimat më të mëdha të ISIS-it sigurisht që janë myslimanët.
Por ISIS, për ta internacionalizuar konceptin e vet bën ndonjë goditje tek jomyslimanët, tek krishterët dhe në momentin që bota, Evropa dhe SHBA u mblodhën për ta goditur atëherë këto e shpallën perëndimin pjesën më armiqësore tyren duke e barazuar me krishterimin, por perëndimi nuk është krishterimi, pasi në të gjithë perëndimin ka myslimanë.
Pavarësisht se në perëndim krishterët përbëjnë mazhorancën, shtetet dhe politikat evropiane nuk janë politika të krishtera, janë politika laike.
ISIS godet perëndimin, por në mënyrë të veçantë Evropën. Kush është parashikimi i ardhshëm?
Unë thashë që ISIS e internacionalizoi çështjen në botën e krishterë për të krijuar një kauzë më të madhe dhe për të rekrutuar sa më shumë myslimanë brenda vetes së vet, por qëllimi i ISIS është të krijojë një shtet sipas doktrinës së tij, midis Sirisë dhe Irakut.
Sigurisht që ne të gjithë jemi të kërcënuar nga ISIS dhe ky diskutimi sa të kërcënuar dhe kush është i kërcënuar, nuk ka vlerë.
Momenti më i vështirë, mendoj unë, ku do të jemi të kërcënuar është kur ISIS-i t’i ketë punët keq brenda vetes së vet, kur të ketë momente të vështira, siç po kalon në ditët e sotme, sepse ISIS-it i intereson të frenojë ndërhyrjen e botës perëndimore për të vendosur paqen dhe stabilitetin në rajon.
Në këto momente ISIS po kalon një kohë të vështirë dhe ky mund të jetë një moment ku mund të goditen edhe vende të tjera.
Derisa ISIS të ekzistojë si një celulë e fuqishme në Siri, Irak apo kudo, e gjithë bota do të jetë e rrezikuar për sulme terroriste.
Të gjithë personat që kanë organizuar atentatet apo shpërthimet ishin qytetarë të lindur e të rritur atje. Si duhet të zgjidhet integrimi i këtyre njerëzve që të mos ndihen të përjashtuar?
E çuditshmja është që në Evropë, ndryshe nga 11 shtatori në SHBA, protagonistët që kryejnë sulme terroriste ishin myslimanë të lindur dhe rritur në Evropë dhe ky është një problem shumë i madh. Ato nuk ishin të pashkolluar, ishin shkolluar mirë por besoj që një pjesë e mirë e shteteve evropiane, kanë një ndjenjë islamofobie të theksuar, kanë një kulturë qytetërimore përjashtuese, nuk kanë arritur t’i krijojnë hapësirat e nevojshme për t’i integruar këto njerëz në shoqëri. Megjithëse kanë lindur e janë rritur në Bruksel, Gjermani ose Paris, këto ndjehen të huaj, që do të thotë se politikat sociale të atij vendi kanë dështuar.
Pra, problemi kryesor është integrimi. Këta e ndjejnë veten qytetarë të dorës së dytë, inferiorë. Pastaj këta shfryhen dhe bien viktima të këtij manipulimi, por edhe këtu nuk diskutohet që elementi kryesor është indoktrinimi fetar sepse të kryesh një sulm kamikaz do të thotë të mohosh veten tënde, nuk është aq e lehtë pasi nuk bëhet fjalë për të vrarë disa njerëz, nuk bëhet fjalë për vrasës, por për kamikazë dhe një njeri që të marrë vendimin që të vetëflijohet do të thotë që të mendojë disa gjëra të tjera jashtë kësaj bote. Kështu që ata kanë gjetur këtë kontingjent njerëzish i cili ka qenë më i lehtë për tu manipuluar dhe e kanë shfrytëzuar.
Ka mundësi për t’i ndjekur, vëzhguar dhe parandaluar këta njerëz?
Shërbimet inteligjente në Shqipëri kanë dështuar totalisht në këtë pikë. Në Shqipëri problemi u bë i njohur kur mediet e huaja shkruan për të vrarët e parë shqiptarë në Siri, atëherë filloi edhe angazhimi në Shqipëri.
Sigurisht që shërbimi ka dështuar, por në përgjithësi kanë dështuar të gjithë shërbimet e Evropës dhe ne nuk njihemi për ndonjë shërbim kush e di se çfarë, por ka diçka të veçantë Shqipëria.
Po marrim rastin e shqiptarëve që po luftojnë atje. Në Shqipëri ka pasur predikime online që i shikonte gjithë pjesa tjetër dhe shteti shqiptar nuk ndërhyri. Unë jam i bindur se shteti shqiptar vuan pak nga koncepti ateist. Ne nuk jemi ekspertë për çështjet religjioze, fare. Domethënë, në Shqipëri mos mendoni që në institucionet e shtetit të ketë njerëz që dinë të dallojnë predikimet radikale nga predikimet normale fetare, nuk dinë ta bëjnë këtë dallim. Në qoftë se nuk di ta bësh këtë dallim, atëherë kalimi nga radikalizëm në ekstremizëm, bëhet shumë shpejt. Në momentin që pengon radikalizmin, atëherë nënkupton që e ke territorin nën kontroll, deri diku, por në momentin që nuk e kupton, dhe në Shqipëri nuk e kanë kuptuar, madje edhe sot e kësaj dite akoma nuk kuptohet.
Pra, imagjinoni se çfarë kolapsi ka Shqipëria. Ne jemi një vend që ka prodhuar terrorizëm, kemi mbi 100 shqiptarë të Shqipërisë që luftojnë atje dhe institucioni që është përgjegjës për të koordinuar veprimet ndërmjet komuniteteve fetare dhe shtetit, komuniteti shtetëror i kulteve, është pa drejtues prej 4 muajsh, pra 4 muaj ky institucion nuk ka drejtues.
Kaq mjafton. Sa për shërbimet sekrete dhe institucionet e sigurisë, unë jam i zhgënjyer sepse jo vetëm që nuk kanë pasur mundësinë t’i kuptojnë dhe t’i parandalojnë, por nuk i kuptojnë akoma sot e kësaj ditë, akoma vazhdojnë me teorinë që janë kushtet ekonomike që i detyrojnë shqiptarët të shkojnë në Siri.
dritare.net/d.i.