Kushdo që nuk ka mundësi të paguaj për të marrë shërbime ligjore, tashmë mund ta ketë një shërbim të tillë falas. Në Ministrinë e Drejtësis është çelur sot zyra e parë me emërtesën “Klinika Ligjore”, e cila do t’u ofrojë shërbimin e saj të gjithë atyre kategorive të margjinalizuara që nuk kanë mundësi të paguajnë pranë zyrave të konsulencave juridike për problem që ato kanë në lidhje me drejtësinë. Ka qenë vetë Ministri i Drejtësis, Ylli Manjani, ai i cili ka promovuar zyrën e parë shtetërore për shërbim ligjor falas që është hapur brenda mjediseve të institucionit që ai drejton.
“Kjo zyrë do të ofrojë edhe shërbime ndërmjetësimi falas, për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Ndërmjetësimi është një metodë shumë efikase dhe praktikë pozitive. Kjo është klinika e parë ligjore, shtetërore. Ambicia ime është që zyra të tilla të ngremë pranë çdo rrethi gjyqësor. Të gjithë personat e interesuar do të marrin këshilla ligjore profesionale falas. Ndihma ligjore është detyrim kushtetues”, ka nënvizuar Manjani.
ma.me