Në muajin nëntor 2015, 50-vjeçari Poti që aktauliasht është shpallur në kërkim u investigua nga gazeta “Shqiptarja.com” lidhur me 5 transaksione të dyshimtë nga Greqia në llogaritë bankare të kompanisë “Chim Prod”. Këto transferta shkonin në vlerën e 826 mijë eurove, ndërkohë që një pjesë e kësaj shume u sekuestrua me urdhër të prokurorisë.
“Shqiptarja.com” zbulon se Dhimitër Poti me banim në Belgjikë njihet me pseudonimin “Walter”, dhe zotëron në këtë shtet një kompani me emrin “RDGL Group BVBA”. Kompania që ndodhet në rrugën “Brixtonlaan 1930 Zaventem (Bruksel) administrohet nga anëtarët e një familje si Xhevavir Poti dhe Dhimiter Poti, të cilët kanë deklaruar një xhiro vjetore prej 15 mijë euro.
Mediat greke
Media greke ka vazhduar serinë e publikimeve për grupin kriminal të trafikut të drogës. “Kathimerini” shkruan se hetimet nga policia greke në Athinë kanë nisur pas informacioneve nga policia bullgare, sipas së cilës, policia italiane po heton veprimtarinë e një grupi ndërkombëtar të trafikut të drogës me lidhje edhe në Greqi.
Sipas informacioneve të bullgarëve, pjesëtarë të organizatës veprojnë në Belgjikë, Holandë, Bullgari, Itali dhe Spanjë, ndërkohë që në Greqi vepron pjesa e transportit ndërkombëtar të drogës me kamionë.
Prej vitit 2013 deri sot, italianët kanë arrestuar 59 persona, ndërkohë që janë sekuestruar mbi 3 tonë marijuanë, 96 kg kokainë dhe 65 kg hashash “çokollatë”. Një agjent i antidrogës greke tha për “Kathimerini” se rolin kryesor në grup e kishte 50-vjeçari shqiptar, Dhimitër P., banues në Belgjikë.
Ai përdor pseudonimin “Valter”, zotëron shtëpi në Tiranë e Athinë, ndërkohë nga kërkimet e palës shqiptare u zbuluan depozita në banka prej 366.000 euro në Greqi, 460.000 euro në Shqipëri dhe 100.000 euro në Belgjikë. Një nga kamionët e tij, që transportonte goma nga Brenda e Holandës në Londër, në prill 2015, u kontrollua imtësisht në Kalé të Francës.
Ky fakt e bëri atë të minimizonte kontaktet telefonike me pjesën tjetër të grupit. Pjesë drejtuese e grupit, sipas “Kathimerini”, është edhe 44-vjeçari shqiptar, Klement B., ose “Keli”, ndaj të cilit u lëshua urdhër ndërkombëtar arresti. Bëhet fjalë për drejtorin e Transporteve në Sarandë, i cili pardje deklaroi për shtypin elektronik: “Mediat në Greqi thonë që jam arrestuar, por unë ndodhem si zakonisht në punën time”.
Gjithashtu iu përgjigj akuzave nga drejtues të Partisë Demokratike, duke thënë se synimet e tyre janë politike. “Në mars të vitit 2016, gjatë përgatitjeve për trafik droge nga Shqipëria në Europën Perëndimore, ‘Keli’ arriti të organizonte kalimin e kamionit me drogë, pa pasur probleme nga kontrolli doganor, ndërkohë që nga bashkëbisedimet e tij shfaqet si personi që kishte përgjegjësinë për transportin e hashashit me skafe nga Shqipëria në ishujt e Jonit dhe prej andej në Europën Qendrore e Perëndimore.
Madje, para se grupi të shkarkonte rreth 700 kg hashash në një ishull shkëmbor në Zakinthos, “Keli” kishte dërguar në Greqi dy bashkëpunëtorë të tij që të merrnin me qira një shtëpi në bregdetin e Lefkadhës për të fshehur drogën. Një nga zbulimet interesante të hetimit është që pjesëtarët e grupit përdornin zyrë turistike në agjencinë e Athinës në Egaleo, për të transportuar dhe shkëmbyer mes tyre sasitë e mëdha të parave.
Në një rast madje, në një autobus të zyrës, u gjetën 32.000 euro të grupit. Ndërkohë “Ethnos” shkruan se në 26 janar 2016, për këtë shkak u organizua në Hagë një takim i përfaqësuesve të DEA dhe autoriteteve greke, belge, angleze, holandeze, bullgare, italiane, spanjolle dhe austriake, ku Greqia kërkoi asistencë gjyqësore nga Eurojust.
Ndërkohë më 2015 është realizuar takimi i palës shqiptare me drejtorin e policisë greke, Kostandino Tsuvala, në prezencë të drejtorit të policisë së Athinës, Kristo Papazafiri, në të cilin ishte diskutuar goditja e grupit.
Panorama/d.i. ma.me