Ministri gjerman i Financave,Wolfgang Schauble tha se Britania nuk do të mund të sigurojë një marrëveshje më të mirë anëtarësimi me Bashkimin Europian, nëse populli britanik do të votonte në favor të largimit nga blloku 28-anëtarësh.
Përmes kësaj deklarate të bërë gjatë një takimi me kreun e Komisionit Europian, Juncker, Schauble tha se dëshironte që t’i jepte fund çdo spekulimi të mundshëm se vota për “largim” nga BE-ja në referendumin e 23 qershorit do të mund të përdorej për të përmirësuar detajet e marrëveshjes së arritur tashmë nga kryeministri David Cameron me përfaqësuesit e bllokut.
“Ajo është e vetmja marrëveshje e arritur dhe është mbi tavolinë. Nuk mund të ndryshohet më. Një votë ‘Jashtë’ nuk do të mund të përdorej për të ndryshuar në favor të Britanisë të marrëveshjes së arritur tashmë.
‘Brenda’ dhe ‘Jashtë’ janë terma me kuptim të plotë dhe nuk të lënë të nënkuptosh gjëra të tjera”, tha Schauble. Megjithatë, ai tha se vendimin do ta marrin britanikët dhe “ne do të respektojmë çdo vendimmarrje pas referendumit”, transmeton TCh. (b.an)