Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka dalë sot në një konferencë të pazakontë për shtyp për dy çështje të rëndësishme shtetërore, siç tha ai.
Duke shfaqur në një monitor deklaratat e Erion Veliajt që e akuzon për vjedhjen e pronave të Kishës Katolike në Elbasan, Nishani tha se është vënë nën akuza të pabaza dhe të rënda.
“Shqiptarët nuk mund të kenë President një hajdut. Hajduti e ka vendin në qeli dhe dënohet sipas ligjeve të shtetit. Prandaj kjo është një çështje që i kalon që sot drejtësisë. Drejtësia ka detyrim të vërtetoj se presidenti është hajdut, ose akuzuesin ta dërgojë për gjykim” – tha Presidenti Nishani.
Ai deklaroi se do ta ndjekë në rrugë gjyqësore çështjen e akuzave dhe siç tha ai, “kjo është një rrugë pa kthim dhe nga sot i kalon drejtësisë”.
Sa i përket çështjes së dytë, Nishani tha se dëshiron të përcjellë shqetësimin e tij te institucionet ndërkombëtare dhe te publiku.
“Në lidhje me sulmin e dhunshëm të djeshëm të organizuar nga kryetari i Bashkisë ndaj Gjykatës së Apelit Administrativ dhe trupës gjyqësore. Sulm i dhunshëm, terrorizues ndaj gjyqtarëve në ushtrim të detyrës, të cilin e dënoj. Jo vetëm për faktin se është sulm i organizua, por është sulm mbi pushtetin e pavarur kushtetues” – tha Nishani.
Ai theksoi se e vlerëson qëndrimin e ministrit Manjani, i cili u deklarua kundër protestës së Bashkisë Tiranë dhe qytetarëve në dyert e Gjykatës.
“Vlerësoj qëndrimin e ministrit të Drejtësisë dhe besoj se do të vijojë të inkurajojë pavarësinë e gjyqësorit shqiptar. I kërkoj kryeministrit të dënojë sulmin e dhunshëm ndaj gjyqtarëve të Republikës. I kërkoj Prokurorit të Përgjithshëm zyrtarisht të nisë hetimet për dhunën e djeshme ndaj gjyqtarëve për shkak të detyrës. I kërkoj të gjithë gjyqtarëve të marrin fjalën dhe të mbrojnë Republikën” – tha Bujar Nishani.
Sipas tij, qytetarët duhet të ruajnë shpresën për të vrarë frikën. Nishani deklaroi pasditen e sotme se dhuna e kryetarit të Bashkisë ndaj sistemit të Drejtësisë është një precedent i paparë në 25 vite.
Në fakt, një rast të paprecedentë e ka cilësuar edhe Berisha sot në Kuvend, protestën para Gjykatës.
JavaNews sjell mëposhtë dy video ku duket protesta e djeshme dhe deklaratat e Berishës në vitin 2011, kur dhuna verbale dhe fjalori i vulgar dallohet qartë ndaj Kryeprokurores Ina Rama. (javanews.al / a.r)
Kur Berisha rrethonte Gjykatën me Policinë dhe SHIK-un
Pjesë nga dëshmia e ish-kreut të gjykatës së Kasacionit, Zef Brozi.
Pra ju vendosët për rigjykimin e çështjes “Nano”. Cili ishte reagimi i pushtetit të Berishës?
Manovrat djallëzore që bëri Presidenti, Parlamenti e Qeveria në korrik-shtator 1995 për të sabotuar rigjykimin e kësaj çështjeje, çmenduria e shtetit me rrethimin e Gjykatës së Kasacionit disa herë e sidomos në shtator 1995, ndalimet në polici të disa drejtuesve dhe punonjësve të administratës së Kasacionit, kërcënimet nga të gjitha anët që shteti bënte ndaj kryetarit të Kasacionit, e të gjitha këto bëheshin në një kohë kur Berisha përgatitej të takohej me Presidentin Klinton, ishin veç te tjerash edhe një vetëvrasje politike që Berisha e konstatoi dhe u bind nga pritja në Shtëpinë e Bardhë.
Në vitin 1995 u duk qartë se qeverisja e asaj kohe po e çonte Shqipërinë drejt një neodiktature të përgjakshme. Megjithatë shumica e shqiptarëve nuk po e kuptonin këtë tragjedi që po i vinte vendit nga e ashtuquajtura “qeverisje demokratike”. Shqiptarët ende kalonin muajt e mjaltit me firmat piramidale që kishin mbështetjen dhe bekimin e qeverisë dhe Presidentit. Të flisje në atë kohë ndryshe nga sa mendonte e vepronte Presidenti e qeveria dhe duke qenë pjesë e strukturës së atij shteti, ishte një akt shumë i rrezikshëm dhe që dihej se do kishte pasoja të rënda për mua. Të heshtje përballë një realiteti të hidhur që e rrezikonte demokracinë në Shqipëri ishte rruga më e lehtë për të mos i hapur sherre vetes, për të mbajtur pozitën e lartë që kisha dhe për t’u majmur me korrupsion siç po bënin disa qeveritarë e pushtetarë të tjerë. Por kjo ishte rruga që unë nuk pranova.