Turizmi renditet në sektorët prioritarë të ekonomisë. Por më shumë se gjysma e të diplomuarve në turizëm mbetet e papunë pas përfundimit të shkollimit. Për ata që kanë fatin të gjejnë një punë, në 70 % të rasteve ajo që bëjnë nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me profilin për të cilin diplomohen.
“Menaxherë restorantesh, kamarierë në seksione të ndryshme turistike, guidë turistike. Punë të lidhura konkretisht me turizmin janë shumë pak, rreth 30 % e të punësuarve”, tha Erka Car, specialiste e demografisë.
Studentët e anketuar thonë se pas daljes në tregun e punës përballen me mungesën e ofertës. Ndërsa vetë bizneset thonë se ka mungesë të punonjësve të kualifikuar.
“Gjetja e këtij personeli ët kualifikuar nuk është dhe aq e lehtë në Shqipëri, për shkak se tek ne mungon Universiteti i mirëfilltë i Turizmit”, tha Rahman Kasa, Unioni Turistik Shqiptar.
Raporti përfundon se për këtë nevojitet një lidhje e fortë mes shkollës dhe sektorit privat që punëson këta studentë.
“Të ketë një lidhje më të mirë mes universitetit dhe turizmit, që të mos i bëjnë praktikat në agjensi kombëtare turistike por në tregun e punës”, thotë Caro./Tch/a.m.