Partia Demokratike ka hedhur akuza drejtuar Ministrit të Brendshëm Sajmir Tahiri duke thënë se ai ka emëruar në poste kyçe persona me precedentë penalë, përfshi këtu edhe atë që opozita dhe mediat greke e kanë quajtur si Escobari i Drogës në Ballkan, shtetasin Klemend Balili, drejtorin e transporteve në Sarandë. Sekretari i përgjithshëm i PD-së Arben Ristani tha se Balili ka qenë njëri ndër financuesit e PS-së në fushtën elektorale të saj në vitin 2013.
“Klemend Balili është konsideruar nga mediat greke si baroni i drogës apo “Escobari i Ballkanit”. Opozita e ka denoncuar që në vitin 2014 dhe konkretisht më 18 maj, kohë kur Edi Rama e emëroi drejtor të Transportit , si të lidhur me trafikun ndërkombëtar të drogës. Klemend Balili është arrestuar në korrikun e vitit 2006 me 750 kilogramë kanabis. Aksion i suksesshëm i policisë në atë kohë pasi i arrestuari dyshohej se drejtonte një klan kriminal në Sarandë e përreth.
Klemend Balilaj njihet për lidhjet e tij të forta politike dhe ka qenë sponsorizues i fushatës elektorale të PS në vitin 2013. Si lidhje të tij të drejtpërdrejta rezultojnë kushërinjtë e ministrit të Brendshëm, vëllezërit Habilaj, me të cilët ka bashkëpunuar për trafikim të lëndëve narkotike në vitet 2014-2016. Nëpërmjet vëllezërve Habilaj, Klemend Balilaj ka vendosur kontakt të drejtpërdrejt me ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.
Nga informacionet e brendshme të oficerëve me integritet në Policinë e Shtetit, partnerëve ndërkombëtarë, dhe strukturave të hetimit të specializuara në Shqipëri, që kanë hetuar shtetasin Klemend Balilaj,rezultojnë lidhje të tij të forta nëpërmjet ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri me drejtues të lart të Policisë së Shtetit si më poshtë:
Ish-drejtori i Forcave së Posaçme Operacionale Albert Pata
Drejtorin e Policisë së Durrësit Perlat Çullhaj
Drejtorin e Policisë Vlorë Jaert Çelaj
Drejtorin e Policisë Gjirokastër Aranit Arapi
Ish-drejtorin e Kufirit në Vlorë Kastriot Skënderi, i cili në vitin 2015 në zonën e Kakomesë u kap me një kamion me 1 ton lëndë narkotike e llojit kanabis sativa.
Nesër do të njiheni me të tjerë fakte tronditës të lidhjeve të ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe funksionarëve të lartë të Policisë së Shtetit me trafikun ndërkombëtarë të drogës.”- tha Ristani. javanews/ a.k