Qeveria e Kosovës ende nuk ka marrë vendim se kur do ta procedojë për ratifikim në Kuvend, marrëveshjen me Malin e Zi për Demarkacionin e kufirit. Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, thanë për Radion Evropa e Lirë se nuk e dinë saktë se kur çështja do të shkojë në Kuvend, por sipas tyre, kjo do të ndodh shumë shpejt.
“Nuk ka informacione se kur do të procedohet kjo çështje në Kuvend edhe pse e dimë që kjo duhet të përfundojë shpejtë”, ka deklaruar, zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj.
Gecaj ka theksuar po ashtu se për ketë çështje partitë në pushtet dhe opozita duhet të ulen dhe të bisedojnë që të arrihet një pajtim.
Pak ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa kishte deklaruar se Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi duhet të zgjidhet sa më shpejt. Sipas tij, gjatë kësaj jave do të zhvillohen takime me udhëheqësit e institucioneve më të larta të shtetit në mënyrë që kjo çështje të përmbyllet, cituar nga Koha. (b.an)