Procesi gjyqësor për pallatin 17 katësh te Diga e Liqenit, ka marrë sot një tjetër goditje të fortë, që duket se minon marrjen e një vendimi të drejtë nga Gjykata Administrative
Pas ndryshimit surprizë dhe të paargumentuar që iu bë pak ditë më parë trupës së gjyqtarëve, të cilët po shqyrtonin çështjen e pezullimit të punimeve për ndërtimin e pallatit 17 katësh nën Digë që prej vitit 2015, duke i zëvendësuar ata me gjyqtarë të rinj me kërkesë të kompanisë ndërtuese GENER 2, Bashkia e Tiranës dhe IKMT i kërkuan gjykatës përjashtimin e gjyqtarëve të rinj nga gjykimi dhe caktimin e një trupe tjetër.
Por, kur pritej që gjykata të shprehej për kërkesën në fjalë, burime nga Gjykata Administrative shprehen se kërkesa e Bashkisë së Tiranës dhe IKMT për të përjashtuar gjyqtarët nga gjykimi i çështjeve me kompaninë GENER 2, është shqyrtuar sot në fshehtësi të plotë, krejtësisht në shkelje të hapur të ligjit, si dhe është kryer në një dhomë këshillimi, kur sipas neni 75 të Kodit të Procedurës Civile duhej bërë në seancë.
Gjithashtu, shqyrtimi është bërë pa ua njoftuar palëve datën e gjykimit me shpallje, sipas nenit 49 të Ligjit nr.49/2012 për gjykimet administrative. Shkelje të cilat duket se përbëjnë cenim të procesit të rregullt ligjor, pasi nuk kanë garantuar të drejtën e palës kërkuese për t’u informuar për zhvillimin e gjykimit, detyrim i cili për gjykatën e apelit parashikuar në Kodin e Procedurës Civile dhe Ligjin nr.49/2012. javanews/ a.k