Një automjet i mbushur me eksploziv zgjodhi për objektiv një autobus lokal të policisë në periferinë Baglar të provincës juglindore të Diyarbakirit në Turqi, duke vrarë 3 persona gjatë kësaj të marte dhe duke plagosur me dhjetëra të tjerë.
Guvernatori i provincës së populluar më së shumti nga kurdë bëri të ditur vetëm pak çaste më vonë se numri i të plagosurve është rreth 45, prej të cilëve 12 janë oficerë policie.
Disa prej të palgosurve, raportohet të jenë edhe të dyshuar terroristë të PKK-së të burgosur, të cilët ndodheshin të pranishëm në automjetin e policisë gjatë shpërthimit, ashtu sikurse edhe disa civilë të pafajshëm, kalimtarë të rastit në zonën e shpërthimit. Sipas raportimeve paraprake, shpërthimi ndodhi rreth orës 16:30 të pasdites.
Ambulanca të shumta u dërguan menjëherë drejt vendngjarjes, në mënyrë që të ndihmonin në transportimin e të plagosurve në spitalet më të afërta për ndihmën mjekësore. Ende nuk është bërë e ditur se e kujt është përgjegjësia e këtij sulmi. Ndërkohë kanë nisur edhe hetimet e nevojshme nga prokurorët e Diyarbakirit.
Kohët e fundit, forcat turke të sigurisë janë përplasur shpesh herë me grupin terrorist të PKK-së, siç konsiderohet Partia e Punëtorëve të Kurdistanit në Turqi, e zonat më të prekura janë ato në Juglindje të vendit, që prej anulimit të armëpushimit në korrik të 2015-s për të rinisur fushatën e armatosur 30-vjeçare ndaj shtetit turk.
PKK-ja njihet si organizatë terroriste edhe nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian. Që prej verës së vitit të kaluar, mbi 430 pjesëtarë të forcave të sigurisë kanë mbetur të vdekur gjatë përplasjeve me kurdët, ndërsa me mijëra viktima janë shënuar në radhët e terroristëve të PKK-së.
TCH/d.i.