Nga Arjan Vasjari
Të krijohet përshtypja se opozita ka marrë përsipër që,në cdo rrethanë,të mos n’a lejojë të jemi entuziastë lidhur me fatin e reformës në drejtësi. Edhe kur ajo voton pro saj! Sjellja e së hënës,pasi e kishte votuar në parim reformën, është prova elokuente se,nuk duhet të krijojmë iluzione mbi qendrimin e opozitës. Madje, për të mos u ndjerë më vonë si idiotë,duhet të mos e fshijmë si opcion votën kundër të saj. Për dy arsye themelore: e para,sic e deklaroi vetë kryetari i opozitës dje pasdite,reforma në drejtësi nuk është në përparësitë e opozitës; e dyta,përgjatë këtyre gjashtëmbëdhjetë muajve kemi tre indicie të qarta që e përligjin kujdesin ndaj këtyre gjëndjeve iluzore.
T’i marrim me rradhë. Që reforma në drejtësi nuk ka qenë ndonjë pasion i madh i opozitës nuk ka nevojë ta konspektojmë gjatë. Reforma u imponua si cështje themelore e axhendës politike kombëtare, jo për ndonjë kontribut të posacëm të opozitës. Thënë ndryshe,opozita u detyrua të ishte pjesë e reformës, gati-gati, kundër vullnetit të saj. Deri këtu do të ishte gjithshka normale sikur të ishte vetëm kështu. Por, përgjatë gjithë këtij excursus-i të lodhshëm gjashtëmbëdhjetë mujor opozita u përpoq sistematikisht ta deklasifikonte rëndësinë e reformës në drejtësi, ose duke vendosur një rend të ndryshëm përparësish, ose duke simuluar kauza pa objekt,ose duke e konceptuar reformën si instrument i domestikës së saj politike dhe jo si nevojë kombëtare. “Por ama e votoi në parim”-do thonë! Bukur,por vota në parim është thjeshtë një votë retorike. Ajo nuk shpall domosdoshmërisht një përparësi politike ashtu si dhe nuk përfaqëson domosdoshmërisht një qëndrim politik përfundimtar. Vota në parim është e barazvlefshme me një deklaratë të rëndomtë podiumesh të tipit “Ne jemi pro reformës në drejtësi”. Kaq,asgjë më shumë!Tek e fundit,kush do të kishte kurajon të deklaronte të kundërtën? Përgjithësisht fati i qëllimeve politike parashkruhet nga përparësia që u jepet atyre. Fatkeqësisht reforma në drejtësi nuk përfshihet tek qëllimet përparësore të opozitës.Pikërisht për këtë,vota në parim e saj nuk është arsye për t’u entuziazmuar!
Shkaku tjetër për ta lexuar me mosbesim të arsyeshëm votën në parim të opozitës, lidhet me identifikimin e,së paku, tre indicieve të qarta që shkojnë përkundër entuziazmit të paradites të së hënës. Janë indicie që shpjegojnë një sjellje koherente të opozitës ndaj reformës e bash për këtë duhen marrë në konsideratë. E para lidhet me vonesën skandaloze kur opozita vendosi të dërgojë përfaqësuesit e saj në komisionin e posacëm parlamentar të reformës. Argumentet për vonesën asnjëherë nuk qenë bindëse por,nuk qe e vështirë të kuptohej se, përfshirja në reformë ndodhi vetëm sepse nuk u arrit që ajo të bllokohej. Indicia e dytë ka të bëjë me një qëndrim refraktar ndaj draftit aktual në tërësinë e tij. Eshtë fakt evident se,opozita ka arritur që t’i imponojë draftit aktual shumë më tepër kërkesa apo korrektime sesa mazhoranca. Tridhjetegjashtë të tilla. Të cilat mund të lexohen me të drejtë si një fitore e saj por, nuk mund të mos lexohen edhe si një fryme tolerance dhe prirje nga ana e shumicës për të ndërtuar qëndrime konvergjente. Atëhere,si mund të përkufizohen qendrimet e së hënës pasdite dhe të martës paradite, përvecse si një obstruksion i kulluar malinj kundër reformës? Indicja e tretë është deklarimi i papritur i Lulzim Bashës të hënën pasdite : përparësia e përparësive për opozitën është reforma elektorale. “Reforma në drejtësi duhet të ecë paralel me reformën elektorale”-tha Halimi mbrëmë në Top Story.Me fjalë të tjera,nëse reforma elektorale nuk përmbush kërkesat e opozitës,vota e opozitës për reformën në drejtësi do jetë…
Thoshte Agatha Cristie : “një indicie është një indicie;dy indicie janë një koincidencë; por tre indicie janë një provë”.
Posaçërisht për Javanews