Në mbarimin e takimit të grupit parlamentar socialist me ambasadorët Lu e Vlahutin, Kryeministri Rama ka thënë se dera e selisë rozë e ka dëgjuar “trokitjen” e ambasadorëve në pragun e tyre të derës, ndryshe nga opozita. Kryeministri ka dhënë përgjigje edhe për atë që duket si kushti i ri i opozitës për miratimin e reformës në drejtësi, reforma zgjedhore. Kreu i qeverisë tha se nuk ka asnjë lidhje mes të dyjave dhe se nuk ka asnjë kuptim që reformimi i gjyqësorit të kushtëzohet nga reformimi i sistemit zgjedhor. Në të kundërt, tha Rama, një sistem drejtësie i drejtë do të garantonte dhe zgjedhje të lira e të ndershme.
“Ambasadorët i bien pragut që të dëgjojë dera, por dera nuk është këtu…. Ne këtu jemi tërësisht të hapur dhe të ishte për ne reforma do të ishte tashmë e votuar. Ambasadorët erdhën këtu jo sepse duan të marrin në dorë qeverisjen e Shqipërisë, as për të shprehur ndonjë nënvlerësim apo përcmim për ne, sic u ngutën të thonë zëdhënësit e politikës më të vjetër, por, sepse përfaqësojnë 29 shtete… të SHBA-së dhe BE-së, të cilat në nivelet më të larta, që nga Obama, Merkel e me rradhë, janë të interesuar për këtë reformë. Sepse kjo është një reformë historike që nuk është vetëm në interesin e Shqipërisë por edhe të BE-së.
Përsa i përket reformës zgjedhore ne jemi të gatshëm të diskutojmë, të negociojmë dhe të gjejmë cdo rrugë që con më tutje në rrugën e bekuar për të patur zgjedhja sa më të mira e dinjitoze… por clidhje ka kjo me reformën në drejtësi, hajde ma tregoni! E kundërta është e vërteta, se pa reformën në drejtësi nuk ka zgjedhje të lira.”- tha Rama
I pyetur për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili i hoqi ditën e djeshme mandatin deputetit Koço Kokëdhima, Rama tha:
“Nuk komentoj vendimet e Gjykatave, unë thjesht nënvizoj që në këndvështrimin tim, ai vendim është një arsye më shumë për mua dhe për ne, që të bëjmë një reformë reale në sistemin e drejtësisë.” javanews/ a.k