Policia e Shtetit reagoi pas akuzave të Partisë Demokratike, duke kërkuar që të ndalen sulmet politike dhe përbaltjet ndaj Policisë.
“Pas shumë deklaratave të pavërteta, shpifjeve dhe akuzave politike ndaj Policisë së Shtetit, pas përbaltjeve të përditshme ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit, bëjmë me dije opinionin publik se këtë situatë e konsiderojmë tërësisht të tepërt, të padrejtë dhe presion politik ndaj burrave dhe grave, të rinjve e të rejave në Policinë e Shtetit”, thuhet në reagimin e Policisë.
Policia e Shtetit, thekson se, “ka arritur rezultate të konsiderueshme në përballje me krimin. Këto rezultate janë falë punës dhe sakrificës së punonjësve të Policisë përballë krimit. Policia sot lufton me krimin, me korrupsionin, me paligjshmërinë e çdo natyre, duke sakrifikuar për shkak të mungesës së infrastrukturës, buxhetit të duhur dhe kushteve për të hetuar siç duhet. Policia e Shtetit përpiqet t’i shërbejë qytetarëve, besimi i të cilëve na jep më shumë forcë për t’u përballur me krimin”.
“Vështirësitë janë të panumërta, nga kriminelët e rrugës tek ata që deri dje e quanin veten të paprekshëm. Por çdo sulm politik, çdo përbaltje e shpifje, është një goditje më shumë për Policinë e Shtetit e një mbështetje më shumë për ata që shkelin ligjin. Përveç sakrificave të punës së përditshme, përbaltja konstante, sulmet politike, janë tërësisht të papranueshme e të pamerituara, për çdo punonjës policie që sakrifikon përballë krimit”, thekson Policia.
“Përmendja e emrave të punonjësve të policisë, thjesht e vetëm për akuza politike, është veprim i papranueshëm për shtetin e të drejtës dhe luftën kundër krimit. Sulmet ndaj policisë janë përkrahja më e mirë ndaj krimit. Ndaj ndalni menjëherë sulmin politik ndaj policisë. Ndalni menjëherë përbaltjen politike të përditshme ndaj Policisë”, vijon reagimi i Policisë.
“Çdo subjekt politik që pretendon se ka fakte kompromentuese ndaj punonjësve të veçantë të policisë, është i ftuar t’i depozitojë pranë SHÇBA, Prokurorisë dhe organeve të tjera ligjzbatuese. Në të kundërt, ndalni sulmin e përbaltjen politike ndaj Policisë”, përfundon deklarata e Policisë së Shtetit.