Presidenti amerikan Barack Obama do të vizitojë Hiroshimën këtë muaj, duke u bërë presidenti i parë në detyrë që shkon në qytetin japonez që u bombardua nga SHBA në sulmin bërthamor të vitit 1945.
Vizita e tij në këtë qytet do të jetë pjesë e një udhëtimi në Azi, që do ta çojë gjithashtu në Vietnam, një tjetër vend me historinë e hidhur të luftës me Amerikën, shkruan tch. Bombardimi i Hiroshimës më 6 gusht 1945 u mori jetën 140 mijë personave dhe me sulmin e dytë në Nagasaki shënoi fundin e Luftës së Dytë Botërore.
Përpara tij në Hiroshimë ka qenë Jimmy Carter, por pas përfundimit të mandatit në krye të Shtëpisë së Bardhë. Në një deklaratë për shtyp nga zyra e zotit Obama thuhet:
“Presidenti do të bëjë një vizitë historike në Hiroshima me kryeministrin Shinzo Abe, për të riafirmuar zotimin e tij për promovimin e paqes dhe sigurisë në një botë pa armë bërthamore”.
Këshilltari për mediat i presidentit amerikan, Ben Rhodes deklaroi se, zoti Obama nuk do të përmendë bombardimin atomik në Luftën II Botërore, “por do të ofrojë vizionin e tij për të ardhmen tonë të përbashkët”.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara do të marrë gjithashtu pjesë në samitin e grupimit G7 që do të zhvillohet në gadishullin japonez Ise Shima. javanews/ a.k