Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati zhvilloi një vizitë zyrtare në Portugali ku pati bisedime me ministrin portugez të Punëve të Jashtme, Augusto Santos Silva.
jatë takimit, dy ministrat konfirmuan vullnetin për të thelluar me tej marrëdhëniet dypalëshe si dhe për të dakordësuar një sërë marrëveshjesh që do të ndihmojnë në krijimin e një mjedisi më të favorshëm për bashkëpunimin ekonomik dhe do të dinamizojnë ndërveprimin në fusha si turizmi dhe trajnimi profesional.
“Reformat tona shtet-konsoliduese kanë si fokus kryesor përforcimin e sundimit të ligjit në ekonomi. Ky është gur-themeli i programit tonë për më shumë zhvillim ekonomik, një klimë të përmirësuar për bizneset dhe një mjedis më të sigurt për investimet evropiane, përfshirë ato portugeze, në Shqipëri”, u shpreh Ministri Bushati.
Bisedimet dypalëshe u ndalën edhe mbi ecurinë e proceseve integruese në Shqipëri dhe në rajon. Ministri Bushati e njohu homologun portugez mbi progresin e bërë nga qeveria shqiptare në adresimin e pesë prioriteteve kyçe, ku finalizimi i reformës në drejtësi mbetet e një rëndësie parësore në funksion të hapit të radhës në procesin e integrimit të Shqipërisë. “Dëshiroj të falënderoj qeverinë e Portugalisë për mbështetjen e pandryshuar në avancimin e procesit të integrimit të Shqipërisë “, tha Ministri Bushati.
Ministrat shkëmbyen gjithashtu mendime në lidhje me situatën në rajon, krizën e refugjatëve, efektet anësore të kësaj krize për BE-në dhe vendet e Ballkanit Perëndimor si dhe sfidat e sigurisë, duke ndarë mendimin mbi nevojën për një koordinim edhe më të ngushtë në përballimin e tyre. Në këtë kontekst, Ministri Santos Silva u shpreh se “Shqipëria luan një rol kyç për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor”.
Gjatë vizitës në Lisbonë, Ministri Bushati zhvilloi një takim me Kryetarin e Komisionit Parlamentar të Punëve të Jashtme, Sousa Pinto ku pala portugeze u njoh me zhvillimet në vendin tonë, hapat e ndërmarra në procesin e integrimit evropian dhe kontributin e Shqipërisë në drejtim të forcimit të bashkëpunimit rajonal.
Një tjetër element i rëndësishëm i vizitës së Ministrit Bushati në Portugali ishte dhe ceremonia e inaugurimit të Konsullatës së Nderit të Republikës së Shqipërisë në Rajonin e Lisbonës, e cila vjen të përforcojë rrjetin ekzistues të konsullatave të nderit në Porto dhe Madeira. (atsh / a.r)