67% e ujit që prodhohet në Shqipëri humbet dhe 11 miliardë lekë shkojnë dëm. Qeveria shqiptare prezantoi reformën e Ujit dhe premtoi eliminimin e humbjeve, furnizimin me ujë për qytetarët dhe për tokat bujqësore.
Si do të realizohet përmirësimi i cilësisë së ujit të pijshëm dhe furnizimi 24 orë i qyteteve? Transporti ndërqytetas a ka nisur të reformohet? Çfarë po ndodh me hekurudhat dhe portet e mëdha që ishin premtimet elektorale të 2013-ës? Sa rrugë ka ndërtuar qeveria Rama? Sa është kostoja e tyre? Pse kanë mbetur në vend projektet e mëdha të rrugëve?
Për të gjitha këto e shumë të tjera, ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto përgjigjet përballë gazetares Ola Bruko në emisionin “Njerëz në Fokus” në “News24”.
Do doja ta nisja diskutimin me ju me një sërë çështjesh që kanë interes për shqiptarët, por mbi të gjitha duket se është e shumëpritur reforma e ujit. Pse ndalesa juaj e parë ishte Prrenjasi, ujësjellësi i Qafë Thanës?
Në fakt unë isha për inspektim në gjithë atë zonë, ndalova në Prrenjas pasi kryetarja e Bashkisë më informoi se kishte filluar ndërhyrja për prerjen e lidhjeve të paligjshme. Aty kishte një situatë problematike. Banorët e fshatrave përreth kanë kufizim të furnizimit me ujë. Kjo është e pafalshme. Rreth 67% e ujit në tërësinë e sistemeve tona humbet. 11 miliardë lekë të reja në vit humbasin. Imagjinoni nëse qoftë edhe gjysma e kësaj sasie do ta kthenim në vlerë monetare. Ka nevojë për një ndërhyrje emergjente.
Përse e keni toleruar deri tani këtë situatë?
Kjo situatë nuk është se tolerohet, por mënyra institucionale e trajtimit të problemeve është shumë e rëndësishme. Para se të fillonte reforma, institucioni përgjegjës ka qenë Drejtoria e Ujësjellës-Kanalizimeve, që menaxhohej nga pushteti vendor. Përgjegjësia ishte shumë e vogël. Këtu filloi reforma që përgjegjësia të kishte një emër. Një nga themelet e reformës është llogaridhënia, përgjegjshmëria dhe përgjegjësia direkte. Furnizimi me ujë është një shërbim i rëndësishëm jetik publik.
Folët për kompetencat që do të ketë pushteti lokal, por cilat do jetë kompetencat e ministrisë?
Ministria është politikëbërëse, nuk merret me aspekte operative. Do të forcohet politikëbërja. Këtë reformë e ka iniciuar ministria, nisur nga problematika. Do të ketë edhe proces monitorues. Ne do të kërkojmë llogari në Drejtorinë e Përgjithshme të Ujësjellës Kanalizimeve. Do të monitorojmë performancën e secilit nga ujësjellësat, dhe do të ndërhyjmë me masat dhe urdhrat e nevojshëm për të përmirësuar atë që duhet përmirësuar. Kjo do të realizohet mbi bazën e kontratave të performacës. Do ketë kontratë mes pushtetit vendor dhe atyre që do punojnë në ujësjellës kanalizime. Dhe një kontratë midis pushtetit vendor dhe qeverisjes qendrore. Janë shumë përgjegjësi që qeverisja qendrorë i ushtron, siç janë investimet. Objektivat që do ketë çdo ndërmarrje do të jenë realiste dhe të realizueshme, mbi bazën e disa kritereve të përpunuara. Do të ketë bashkëpunim me Entin Rregullator të Ujit. Të gjithë ujësjellësit do të monitorohen, edhe si realizohen investimet. Do të behet vlerësimin mbi bazën e performancës, dhe sipas një masterplani që ka përcaktuar kriteret e sakta sesi duhet realizuar një investim në ujësjellës kanalizime. Studiohet densiteti i popullsisë, nevoja për ujë, vendndodhja.
67% e ujit humbet dhe 11 miliardë lekë shkojnë dëm, ju me anë të kësaj reforme synoni uljen e humbjeve?
Shqipëria sot prodhon 270 milionë metër/kub ujë, ndërkohë që nuk furnizohet e tëra, vetëm 80% e popullsisë. Për të furnizuar të gjithë popullsinë e Shqipërisë duhen rreth 215 milionë metër kub. Ne prodhojmë 55-60 milionë metër/kub më tepër se sa i duhen Shqipërisë. Uji si një pasuri e madhe kombëtare që kemi të shkojë për njerëzit dhe jo të humbi në mënyrë tragjike siç po ndodh.
Vendosja e matësave është pjesë e kësaj reforme?
Vendosja e matësave do sjellë një shëndoshje të të gjithë sistemit të furnizimit me ujë. Vendosja e matësave do na orjentojë siç duhet për tu organizuar më mirë me trajtimin ujërave. Kjo do sjellë dhe një përmirësim të shërbimit me kanalizime.
Do ta përmirësoni me anë të kësaj reforme cilësinë e ujit?
Nga inspektimet që kam bërë rezulton që të gjithë impiantet e prodhimit të ujit kanë ujë të pijshëm. Por cilësia e ujit prishet në rrjet dhe në përfundim mund të kenë probleme me cilësinë e tij. Ndërkohë që ekziston një sistem i ngritur tashmë që monitoron cilësinë e ujit. që është Inspektorati Shëndetësor. Ne jemi në bashkëpunim me këtë institucion, i cili bën një punë të mirë. Shumë shpejt do kemi dhe ndërhyrjet tona në mënyrë që ta përmirësojmë më tej sistemin si do monitorohet cilësia e ujit. Kjo është shumë e rëndësishme, dhe ka vëmendjen tonë. Duke ecur reforma, do të kemi edhe paketën e ndërhyrjeve tona sa i takon cilësisë së ujit. Një ndërhyrje në prerjen e lidhjes së paligjshme ishte evidente në disa qytete, dhe do ta vazhdojnë në gjithë vendin. Do të jetë edhe mbështetja e policisë për realizimin e reformës. Efektet do të jenë të dukshme në mënyrën sesi ato drejtohen, sesi krijojnë ose jo borxhe, pasi respektohen detyrimet, në mënyrën sesi do të trajtohen njerëzit që kanë nevojë të trajtohen me subvencion. Çdo vite harxhohen 4.4 mld për subvencione. Ato do të shkojnë tel njerëzit që kanë nevojë, dhe do të paguhet pjesa e konsumit të tyre.
Kur pritet të aplikohet kjo?
Në muajin shkurt është miratuar VKM që i kalon ujësjellësit në menaxhimin sipas sistemit të ri. Ato duhet të regjistrohen si shoqëri, dhe të veprojnë si të tilla. Ministria se bashku me konsulencë të huaj, ka përgatitur udhëzuesit për mënyrën e veprimet të këtyre shoqërive për të realizuar punën. Ujësjellësat janë informuar për reformën, kanë dhënë mendimet përkatëse. Me miratimin e dokumentit do t’i jepet të 61 shoqërive të ujësjellësit që brenda këtij viti duhet të fillojnë të veprojnë me sistemin e ri. Unë jam optimist që me këtë zell që kanë filluar punën disa nga kryetarët e bashkive dhe disa nga drejtuesit e shoqërive të ujësjellësit, rezultatet do të jenë të ndjeshme. Nëse marrim shembull ujësjellësin e Qafë-Thanës, ku uji shkonte nëpër lavazhe apo derdhej kot, tani uji do shkojë për nevojat e qytetarëve. Disa nga ndërhyrjet kanë impakt drejtpërdrejt tek qytetarët.
A ka lavazhe në Tiranë me ujë të pijshëm?
Nuk mund të përjashtoj faktin që lavazhet përdorin ujë të pijshëm. Por duhet të ndërhyjë Ujësjellësi i Tiranës për t’i kontrolluar dhe për të marrë masat përkatëse.
Pjesa e dytë e reformës është ujitja në sistemin e bujqësisë?
Është një projekt i rëndësishëm që mbulohet nga Ministria e Bujqësisë. Reforma është më e gjerë se uji për konsum dhe uji për vaditje. Reforma përfshin edhe përdorimin e ujit për reforma të tjera, për energji, për industri, apo lënia aty ku është në lumenj, pasi nuk mund t’i përdorim të gjitha rezervat. Ne duhet të kemi një përqasje të integruar ndaj ujit si një pasuri kombëtare. Shqipëria ka shumë ujë, por nuk është menaxhuar siç duhet. Në të gjitha aspektet që unë thashë do të ketë përqasje të integruar.
Për ujërat e ndotura do të ketë një menaxhim tjetër?
Kjo është një pjesë shumë e rëndësishme e reformës tonë. Duhet ringritur si sistem, pavarësisht se janë bërë investime shumë të rëndësishme deri sot. Investimet vazhdojnë.
Do doja të kalonim tek reforma e transportit ndërqytetas, keni deklaruar se kjo do të jetë reforma më e thellë që është bërë ndonjëherë, çfarë ka ndryshuar deri më tani? Eshtë aplikuar kjo reformë?
Reforma nuk bëhet në një ditë, veçanërisht kjo reformë, ndërhyrja në të cilën ndikon direkt në shërbimin që u ofrohet qytetarëve. Për ne e rëndësishme është cilësia e këtij shërbimi. Nëse një sistem i transportit ndërqytetas nuk ofron cilësi, atëherë ai duhet reformuar. Kjo është edhe në të mirë të operatorëve. Sot situata është akoma shumë problematike, por trendi është drejt asaj që duhet bërë. Sot janë rreth 200 shoqëri që operojnë në transportin ndërqytetas. Reforma parashikon që çdo Bashki të ketë shoqërinë e saj, Tirana do të ketë më shumë 2 ose 3, do bëhen 64 shoqëri. Mos jetë e rëndësishme se kush e ka orarin 6 dhe këta të orës 6 të shkojnë në 5 e gjysmë dhe ti marrin pasagjerët dhe të ikin me vrap. Po shkojmë tek shoqëria bashkiake. Kjo heq edhe konkurrencën e pandershme. Kjo do ti bëjë shoqëritë të painteresuara për të konkurruar në mënyrë të pandershme.
Sa është kostoja e një kompanie për transportin ndërqytetas.
Varet se sa linja ka. Ne kemi dhënë orjentimin që këta operatorë duhet të agregohen në shoqëri dhe disa bashki kanë ecur pozitivisht. të gjithë e kanë parë si një mundësi shumë të mirë.