Nga Lorenc Vangjeli
Nuk kanë lidhje direkte me njëra-tjetrën, por të hënën ndodhën dy ngjarje të rëndësishme në vend. Për secilën prej tyre, edhe optimistët e shumtë të pozitës, edhe skeptikët e paktë të opozitës, dikur nuk do të pranonin të vinin bast. Basti për këto dy ngjarje do të ishte pothuaj i pamendueshëm dhe i humbur që në krye të herës, qoftë dhe pak kohë më parë. E megjithatë, nga e hëna, politika shqiptare duhet të bëjë llogari për më tej edhe mbi ngjarjet që ndodhën në mesditën e ditës së parë të kësaj jave.
Ngjarja e parë. Reforma në drejtësi, mbas një kalvari të pabesueshëm rrugëtimi në aksin Kuvend, Rruga e Elbasanit, SHQUP, Venecia e anasjelltas disa herë, morri votat unanime të të dy palëve, shumicës dhe pakicës në parlament. Votimi ishte në parim dhe tashmë do të nisë diskutimi në detaje i një drafti voluminoz që shpresohet se do të ndryshojë e përmirësojë gjithë sistemin e drejtësisë. Që është në thelb premtimi politik se ndryshon dhe bëhet më e mirë vetë Shqipëria. Të paktën ky është perceptimi në publik i këtij akti që ngjan se e ndan tranzicionin shqiptar në dy akte, natë e ditë: para dhe pas reformës në drejtësi. Siç mendohej dikur nëntori i 1998-ës, me miratimin me referendum të Kushtetutës së re Shqiptare që premtonte se “…pikërisht prej aty fillonte e ardhmja”.
Votimi u përshëndet në kohë reale nga Ambasada Amerikane, e cila është aleati i fortë i kësaj reforme.
“Hap i madh përpara…bash në ditën e Reformës”, e konsideroi kryeministri Rama miratimin me konsensus të draftit.
“Mesazhi më i mirë në Ditën e Evropës”, e quajti kryetari i Kuvendit Meta një votim të tillë.
Po të njëjtin krahasim si “dhuratë” për Ditën e Evropës, e konsideroi Basha një tjetër votim të së hënës. Kësaj here të njerëzve që ndodhen në krye të sistemit të drejtësisë. Ata, gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese, e konsideruan mandatin e deputetit socialist Koço Kokëdhima si të papajtueshëm me Kushtetutën. Beteja për mandatin e deputetit të zëshëm socialist që i drejtohej ish-kryetarit të PD-së me emrin Sali, ishte kthyer në një kalë beteje pa kthim për opozitën. Dy votime të njëpasnjëshme të Kuvendit, fillimisht e refuzuan dhe më pas e dërguan dosjen “Kokëdhima” në kushtetuese, e cila sot morri votimin përfundimtar. Precedenti Beqja, ndonëse në rrethana relativisht të ndryshme, kushtëzoi me sa duket edhe këtë vendim të gjykatësve të kushtetueses. Që heq një deputet socialist dhe lejon ardhjen e një tjetri në Kuvend.
Dikur, në kohën kur Shqipëria drejtohej nga deputeti i sotëm që Kokëdhima e quan Sali, ishte pak më ndryshe. Më saktë, ishte shumë më ndryshe. Në kohën që gykohej rasti “Beqja” në Gjtykatën Kushtetuese, në media u dhanë prova të plota për më shumë se një dyzinë deputetësh të maxhorancës së djeshme që ishin në faull të rëndë kushtetues me mandatin e tyre. Nga ata që e kishin marrë mandatin pa u larguar më parë nga funksionet e tyre. Ajo lloj paligjshmërie e provuar në media, nuk shkaktoi asgjë tjetër përveçse zhurmës në shtyp. Edhe pse ekzistonin të gjitha provat e nevojshme, opozita e djeshme nuk pati “begenisjen” minimale të niste një betejë juridike në Gjykatën Kushtetuese për ato mandate. Duke e parakonsideruar të humbur që në nisje atë betejë juridike, ajo zgjodhi me mendjelehtësi atëherë të bënte sikur nuk shihte dhe sikur nuk dëgjonte provat ulëritëse të paligjshmërisë në krahun e kundërshtarëve. Beqja u largua, ndërsa në vend të betejës në proces, opozita zgjodhi vetëm betejën e fortë të rrugës, që kulmoi me grevën e urisë së prill-majit 2010. Fiks këtë gabim të djeshëm nuk bëri opozita e sotme. E cila, sipas parametrave të saj, fitoi atë që skeptikët nuk e mendonin kurrë. Rrëzoi një nga deputetët më të rëndësishëm të maxhorancës. Opozita nuk merr asgjë në raport shifrash dhe ekuilibrash në Kuvend sepse mandati i zotit Kokëdhima i shkon një tjetër socialisti që ndodhet në rradhë. Por në politikë, triumfi dhe disfata shpesh nuk kalojnë përmes shifrave. Dhe kësaj here opozita fitoi një detaj të rëndësishëm me një vendim të drejtësisë: Koço Kokëdhima nuk do të votojë dot reformën në drejtësi. Dhe shumë kolegë të tij socialistë nuk u mërzitën për një fakt të tillë. Kjo është e sigurt dhe kryeministri Rama e njeh këtë humbje të tij në Ditën e Fitores mbi Nazifashizmin. Edhe pse si ai, si Kokëdhima, kanë ende shumë e shumë kohë përpara në Tiranë përpara se të tërhiqen për të pleqëruar në Breg.