Poeti Xhevahir Spahiu do të hapë edicionin e gjashtë të Festivalit të Letërsisë “Polip”, që do të mbahet më 13-15 maj në Prishtinë.Pjesëmarrja e Spahiut me lexime në këtë event kulturor është konfirmuar nga drejtori i Festivalit Jeton Neziraj.
Gati 30 shkrimtarë nga vende të botës do të jenë të pranishëm përgjatë dy ditëve në Prishtinë në kuadër të Festivalit të Letërsisë, citohet Express.
Për herë të parë ka shkrimtarë nga Qipro, Zvicra dhe nga Suedia.“Në fillim i kemi dhënë kahe poezisë, pastaj na është dashur të ftojmë shkrimtarë që nuk janë veç poet. E ka marrë profilin e Festivalit pasi promovon shkrimtarë të rinj të Kosovës por edhe regjionit.
Dy vitet e fundit kemi ftuar shkrimtarë edhe më të vjetër dhe është bërë një lloj kombinimi i gjeneratës së re të shkrimtarëve dhe gjeneratës së stabilizuar”, shpjegon Neziraj.
Përveç leximeve do të ketë edhe katër panele, njëri i fokusuar në teatër, ndërsa paneli tjetër do të jetë mbi krijimtarinë e të burgosurve politikë në vitet ’70-’80. (b.an)