Gjatë 20 muajve të qëndimit të Ahmet Davutoglusë në postin e kryeministrit turk dhe drejtuesit të partisë për “Drejtësi dhe Zhvillim”, AKP ka pasur shpesh zëra për një krisje në marrëdhënien mes kryeministrit dhe presidentit turk, Rexhep Taip Erdogan. Por presidenti i hidhte poshtë ato në mënyrë të përsëritur. Njoftimi i tanishëm i kryeministrit turk se do të largohet nga posti, jep sinjale të tjera për marrëdhënien mes dy pushtetarëve.
Shenjat e mospajtimit mes dy udhëheqësve turq filluan të dukeshin në muajin e fundit, kur Davutoglusë iu hoq kompetenca e emërimit të drejtuesve partiakë lokalë dhe në distrikte, në një takim të Bordit Vendimmarrës Ekzekutiv të partisë. Pak ditë më vonë u shfaq online një blog “Dosjet e Pelikanit”, në të cilin një autor anonim trajtonte në shkrime marrëdhënien mes kryeministrit Davutoglu dhe presidentit Erdigan. Ka zëra se ky blog është bërë nga mbështetës të Erdoganit, ndërkohë që të tjerë besojnë, se ai është shkruar nga njerëz jashtë partisë, AKP.
Njoftimi i Davutoglusë për dorëheqje u shoqërua nga theksimi i luajalitetit për presidentin, Erdogan sigurisht edhe për të shuar zërat, se brenda AKP-së po zien. Davutoglu i qetësoi shqetësimet lidhur me dorëheqjen e tij, me deklaratën se do të qëndrojë kryeministër deri në kongresin e partisë, më 22 maj. Por largimi i tij ngre pyetjen, se si do ta përdorë tani presidenti Erdogan pushtetin e tij dhe se çfarë ndryshimesh politike e presin si qeverinë ashtu edhe opozitën.
“Film horror”
Në Ankara si efektet e dorëheqjes së Davutoglusë ashtu edhe se çfarë mund të ketë ndodhur vërtet mes Erdoganit dhe kryeministrit janë objekt interpretimesh nga më të ndryshmet. Sipas Ayse Ayata, profesore e shkencave politike në Turqi , ajo që po ndodh në Turqi i ngjason “një filmi horror” dhe po del si një “puç presidencial” i Erdoganit. “Ne flasim këtu për një kryeministër, i cili përjetoi rënien e votës në votimet e 7 qershorit dhe punoi për të rritur elektoratin në zgjedhjet e 1 nëntorit. Davutoglu është një kryeministër që arriti të marrë 50% të votës në shkallë kombëtare”, thotë për Deutsche Wellen, Ayse Ayta, profesore në Universitetin Teknik të Lindjes së Mesme.
Erdogani do të nxjerrë jashtë parlamentit opozitën e HDP-së dhe të shpallë zgjedhje të reja parlamentare, duke e çuar vendin në një situatë që do të dëmtojë demokracinë, shoqërinë dhe në fund të fundit “ka për të përfunduar keq”. Sipas Aytas “është e qartë se Erdogani nuk sheh asgjë që ta pengojë drejt rrugës për një sistem presidencial. Ai është po ashtu i përfshirë me mbrojtjen e vetes dhe familjes së tij. Kjo është e qartë.”
“Konflikti do të shkallëzohet”
Studiuesi i shkencave politike në Universitetin e Ankarasë, Baskin Oran thekson se Turqia po shkon drejt zgjedhjeve të reja. “Erdogani bëri hapin e fundit në drejtim të instalimit të një sistemi presidencial duke bërë një puç e nxjerrë jashtë qeverisë, Davutoglunë, sepse kryeministri Davutoglu nuk bëri çdo gjë, siç e kërkonte ai”, thotë Oran për Deutsche Wellen. Sipas studiuesit, Erdogan do të ndjekë një strategji të provokimit të kurdëve dhe duke mbajtur në koalicionin e tij të AKP-së, neonacionalistët dhe ushtarakët. “Erdogan do të shkallëzojë deri në fund konfliktet në vend. Me qëllim që të fitojë zgjedhjet, ai do të përfitojë nga një atmosferë e frikës dhe kaosit.” Por çështja kryesore është se sa kohë do të përfitojë Erdogan nga kjo strategji – dhe nëse ajo në fund të fundit mund të çojë në vetë rrëzimin e tij.
DW