COD, në bashkëpunim me Ministrinë e Integrimit, Rrjetin Kombëtar Rinor Shqiptar, Lidershipin e të Rinjve të Tiranës dhe Qendrën për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri zhvilloi sot takimin me temë “Të Rinjtë dhe Europa”, pjesë e ciklit “Hapësirë Rinore”.
Në panel, ishin Klajda Gjosha, Ministre e Integrimit dhe Romana Vlahutin, përfaqësuese e Delegacionit të BE-së në Shqipëri.
Gjithashtu të ftuar për të bashkëbiseduar për rolin e rinisë në integrimin europian të vendit, ishin të rinj, përfaqësues të organizatave të të drejtave të njeriut, shoqatave rinore, OJF-ve ndërkombëtare, institucioneve shtetërore dhe trupit diplomatik.
Ministrja Gjosha foli për integrimin e Shqipërisë në BE dhe sfidat e shoqatave rinore për ndërgjegjësim e përfshirje. Gjosha tha se Shqipëria është pranë hapjes së negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian. Por, theksoi se reforma në drejtësi është çështje vendimtare për këtë synim.
Gjosha tha se reforma në drejtësi është një më të rëndësishme që do t’i japë vendit një shtysë drejt integrimit është miratimi i reformës në drejtësi.
“Reforma në drejtësi do ti hapë rrugë integrimit dhe besimit tek sistemi i drejtësisë. Jemi shumë pranë çeljes ë negociatave si dhe shumë pranë miratimit të reformës në drejtësi. Reforma në drejtësi do të kalojë shumë shpejt. Reforma kërkon maturinë e politikës.” tha Gjosha.
Ministrja Gjosha shtoi se të rinjtë duhet të bëhen pjesë e vendimmarrjes. “Rinia janë ambasadorët më të mirë të vendit dhe zhvillimit të tij. Pa të rinjtë, nuk shkojmë dot në BE” tha ajo.
Ambasadorja e Bashkimit Europian në vendin tonë Romana Vlahutin deklaroi se Reforma në Drejtësi është shumë e rëndësishme për Shqipërinë dhe se ajo duhet të bëhet sipas standardeve të Bashkimit Europian dhe se ajo do të ndryshojë gjithçka në Shqipëri.
Sipas saj, zbatimi i kësaj reformë do të ndryshojë gjithçka në vendin tonë, pasi Shqipëria duhet të arrijë të gjitha standardet që të përfshihet në Bashkimin Europian.
“Reforma në drejtësi duhet të bëhet sipas standardeve të BE-së. Drejtësia është e rëndësishme për Shqipërinë. Shqipëria duhet të zbatojë rregullat për t’iu bashkuar BE-së. Duhet të arrihen standardet e arritura nga vendet e tjera. Reforma në drejtësi është për Shqipërinë, jo për Bashkimin Evropian. Reforma e drejtësisë është shumë e rëndësishme dhe se do të ndryshojë gjithçka në këtë vend” tha ajo.
Vlahutin nga ana tjetër i konsideroi të rinjtë shqiptarë si një forcë e madhe, ndërkohë që iu ka bërë thirrje atyre që të përfshihen në vendimmarrje në mënyrë që e ardhmja e tyre të bëhet më e mirë.
Po ashtu, ajo shtoi se integrimi i vendit është një mundësi e mirë për përmirësimin e jetës, por ajo theksoi se dialogu mbetet çelësi i suksesit për çdo proces.
“Një çështje e rëndësishme është dialogu. Këtu ka mungesë dialogu, por cilësia e dilogut nuk është të thuash atë që mendon por të kuptosh atë që të tjerët mendojnë ndryshe. Edhe pse duhet të dialogojnë me njerëz me pikëpamje të ndryshme, dialogu është i rëndësishëm. Dialogu i’u bën të përfshiheni në vendimmarrje. Ju jeni e ardhmja dhe çdo gjë varet nga ajo që do të bëni ju. Fuqia tjetër që keni ju, janë prindërit. Çdo vendim që merrni duhet ta diskutoni me prindërit. Keni më shumë pushtet sesa mendoni. Integrimi për përmirësimin e jetës” tha Vlahutin.
Takimi u zhvillua në prag të Ditës së Europës, më 9 maj, e cila përkujton fitoren e Bashkimit, të ngritur mbi vlerat e ndërsjella dhe respektin për dinjitetin njerëzor. “Të rinjtë dhe Europa” mbledh në një hapësirë dialogu të rinj aktivistë e politikanë dhe i vendos përballë njëri-tjetrit në një diskutim energjik.
“Integrimi social i të rinjve në të gjitha aspektet e tij të shumëfishta shfaqet gjithnjë e më shumë si një nga problemet kryesore në shoqëritë europiane. Gjatë kësaj faze të jetës, të rinjtë hasin vështirësi për t’u bërë pjesë e jetës ekonomike dhe sociale të vendeve respektive”, citohet në një sondazh të Komisionit Europian. Duke kremtuar Ditën e Europës dhe nderuar themelet e saj, takimi inkurajon dialogun e pjesëmarrjen në çështjet rinore dhe ato të BE-së.
Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri (CRCA Shqipëri), e themeluar në 1997, prej vitesh jep kontribut të rëndësishëm në respektimin e tyre, mbrojtjen nga dhuna, abuzimi e shfrytëzimi. CRCA punon për zhvillimin e të drejtave të fëmijëve dhe të rinjve përmes programeve për rritjen e pjesëmarrjes së tyre në nivel lokal dhe kombëtar. (javanews.al / a.r)