Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar, sipas një komunikate për media, thuhet se pasi ka zhvilluar hetime intensive që nga viti i kaluar, ndaj një grupi mirë të organizuar i të dyshuarve për vepra penale të krimit të organizuar si fajde, detyrim, kanosje dhe mashtrim, ka arritur që të sekuestrojë pasurinë e këtij grupi. E pasuria është goxha e madhe. Ajo që vërehet është shuma e madhe e parave kesh që janë sekuestruar.
“Lidhur me këtë rast, ka pasur edhe sekuestrime të mëhershme të pasurisë, e cila dyshohet të jetë përfituar në mënyrë të kundërligjshme si 303 mijë e 235 euro para të gatshme, 1 mijë e 100 franga Zvicerane, 700 gramë Ari dhe 7 vetura private”, thuhet në komunikatën e Policisë.
Sipas komuniktës, operacioni policor i zhvilluar në rajonin e Prizrenit ka rezultuar me sekuestrimin e një hoteli 488 metra katrorë, një restoranti me verandë, një objekt dhe një parcelë toke 6664 kilometra katror.
“Lidhur me këtë rast i cili është një nga rastet e selektuara që ka qenë i shenjëzuar sipas procedurës së përcaktuar në procesin e liberalizimit të vizave, janë kryer operacione policore me qëllim të identifikimit dhe të provuarit e veprimtarisë kriminale të këtij grupi, në të cilin deri më tani janë arrestuar (9) persona të dyshuar e të cilët janë në proces gjyqësor”, thuhet në komunikatë.
Sektori i Hetimeve të Integruara Financiare, ka vazhduar me identifikimin e pasurisë të këtij grupi kriminal e që dyshohet se ka prejardhje nga veprimtaria kriminale.
“Kështu, në bashkëveprim me Agjensionin për Administrimin e Aseteve të Sekuestruara dhe të Konfiskuara dhe në përkrahje të njësive tjera policore, në bazë të urdhëresës nga gjykata kompetente, me datën 05.05.2016, PK ka ndërmarrë operacionin e quajtur “Kristal” dhe ka sekuestruar pasurinë e përfituar nga ana e të dyshuarve me vepra penale të krimit të organizuar”, thuhet në komunikatë.
Asetet e sekuestruara i janë dorëzuar agjencionit përkatës për administrim.
m.m