Një derbi i “luftuar” në fushë dhe tri buna, por edhe këtë herë, ashtu si në ndeshjen e fazës së dytë, bilanci ka qenë negativ edhe për stadiumin.
Pas këtij 90-minutëshi, pas një kontrolli fillestar, ka rezultuar se 40% e stolave të sektorit H1 dhe H2, ku ishin akomoduar tifozët miq, janë dëmtuar. Disa të shkulura totalisht dhe të tjerë të copëzuar, përkthehen me afro 400 stola të dëmtuar. Shkuljet e para filluan në nisje të ndeshjes dhe gjithçka u agravua në mbyllje të krejt takimit.
Kritika e Halilit
Në sherrin masiv që ndodhi në mbyllje të ndeshjes pati edhe një debat verbal mes Refik Halilit dhe Dritan Dervishit. Presidenti, duke u munduar që të shtensiononte situatën, pati kritika për drejtorin e Partizanit, duke i thënë: “O Tano, po ty nuk të takon të veprosh kështu, ke provokuar gjatë gjithë ndeshjes”.
Demi, veç politikës
Presidenti i Partizanit është parë i veçuar nga politika dje. Ndryshe nga homologu i tij, apo Erjon Braçe dhe vëllai i kryeministrit që ishin ulur në rreshtin e fundit të VIP-it, ai kishte zgjedhur që ta shihte në rreshtin e parë.
Ankesa e Dajës
Ilir Daja ka qenë nën survejimin e vazhdueshëm të gjyqtarit Lorenc Jemini, që në të 11-ën minutë kryesori i kërkon trajnerit që të mos kalojë vizën, ndërsa në të 44-ën i jep paralajmërimin e fundit, ndryshe do ta dërgonte në tribunë. Kjo detyroi në të dyja rastet teknikun që të shkonte te zyrtarët e ndeshjes për t’u ankuar.
Festa në tribunë
Goli i dytë ka sjellë shpërthimin e drejtuesve të Tiranës në tribunë. Si asnjëherë më parë, Halili dhe Muka janë parë të ekzaltuar, madje nuk kanë shmangur as takimet e rastit me personazhet VIP që njihen edhe si tifozë bardheblu.
Sharjet dhe banerat
Ka qenë një ndeshje që ofroi spektakël, por nga ana tjetër vlen të përmendet se për 90 minuta nuk kanë ndalur të sharat. Dhe e vetmja herë që Jemini ndali ndeshjen ishte në të 55-ën minutë, por vetëm për pak sekonda. Edhe dekori kishte pjesën e vet. Tifozët e Tiranës shpalosën disa banera, ku binte në sy “Byroja e tribunës, përshëndesni pionierët e Petrit Dumes”, por pati edhe të tjera më thumbuese. Sakaq, nga të kuqtë ra në sy “Ecim së bashku”. Ndërsa disa herë bardheblutë në kor kanë thërritur “Poshtë komunizmi”.
Ngjeshja e tifozëve
Interesi i madh, por edhe “fluksi” që u krijua në hyrje ka pasur pasojat e veta. Nga ngjeshja e tifozëve të Partizanit, një vajzë ka pasur gjendje të fikëti. Por nga autoambulanca prezente në stadium i është dhënë menjëherë ndihma e parë, duke e sjellë në vete.
Çiljeta nuk mungon
Edhe këtë herë nuk kishte si të mungonte. Çiljeta Xhilaga duket se është abonuar me Partizanin, pasi edhe dje ishte e pranishme në stadium për të ndjekur derbin e madh të kryeqytetit.
Debutimet në derbi
Nuk ishin të paktë ata që përjetuan për të parën herë ndjesinë e derbit. Nga Tirana e bënë “sefte” të rinjtë Peçi, Deliaj dhe Papa, ndërsa te të kuqtë ishte Fili, i cili shënoi edhe golin e barazimit në limit.
Daja si Simeone
Në disa momente, Ilir Daja ka bërë Simeonen. Trajneri i Tiranës u është drejtuar disa herë tifozëve bardheblu duke i karikuar dhe kërkuar sa më shumë mbështetje.
Sukaj, top gjyqtarit
Xhevahir Sukajn në të 93-ën minutë e kanë lënë nervat në lojë dhe topin e ka përplasur tek arbitri. Për këtë motiv, kryesori nuk i kurseu të verdhin.
Pretendimet e klubit
Drejtori i Tiranës, Sajmir Shehi, në fundin e takimit, teksa arbitrat po largoheshin nga stadiumi, është ankuar për gjykimin që sipas tij edhe këtë herë ishte me probleme.
Sherri në mesfushë
Fundi i lojës është shoqëruar me tension në mesfushë. Të përfshirë ishin të gjithë, megjithatë për pak minuta gjithçka u qetësia, të paktën mes futbollistëve. Panorama Sport/
Javanews/ a.k