Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta deklaroi se partia që ai drejton është gati ta votojë reformën në drejtësi pas marrjes së rekomandimeve nga OPDAT dhe EURALIUS. Sipas Metës, mbledhja e djeshme e komisionit të posaçëm e ka përmbyllur reformën dhe tashmë duhen hapur procedurat e votimit pa asnjë vonesë, pasi vendi do të humbiste shumë nëse procesi zvarritet.
“Për mendimin tim por besoj edhe për mendimin e LSI apo të grupit të saj parlamentar, nga dita e djeshme reforma në drejtësi ka përfunduar. Kemi mbërritur në fjalën përfundimtare të ekspertëve të EURALIUS dhe OPDAT. Nga dita e djeshme me mendimet e EURALIUS dhe OPDAT përmbyllën reformën.
Gjithçka ka mbaruar dhe grupi parlamentar i LSI është gati ta votojë reformën. Besoj se gjithëpërfshirja ka qenë dimensioni i padiskutueshëm. Tani ne mund të vijojmë debatet për shumë vite, por të jemi të ndërgjegjshëm që çdo minutë që kalon është kundër nesh, rrezikon axhendën tonë për anëtarësimin në BE. Këto mesazhe janë bërë tepër të qarta, edhe nga përfaqësuesja e BE Mogherini, edhe nga Komisioneri Hahn. Kështu që tani duhet të ecim drejt procedurave parlamentare ta votojmë”, tha Meta.
Këtë deklaratë Meta e dha pas homazheve që zhvilloi në Varrezat e Dëshmorëve me rastin e 5 Majit. Ai dha një mesazh velrësimi për ata që kanë dhënë jetën për lirinë e atdheut.
“Është një ditë e rëndësishme pasi është dita e mirënjohjes për ata që dhanë jetën për çlirimin e vendit. Është dita për të vlerësuar veprën e tyre, por edhe që Shqipëria të jetë një vend më i sigurt”, tha Meta./a.m.