Prokuroria merr në hetim një efektiv të Policisë së Tiranës që ka lejuar pajisjen me pasaportë të Domart Konjarit, i kërkuar për akuza të rënda në Francë dhe u hetuar edhe në Shqipëri për vrasje e trafik droge.
Fjala është për një oficer të Komisariatit nr.3, emri i të cilit nuk është bërë i ditur. Ky efektiv policie mendohet se ka lejuar pajisjen e Konjarit me pasaportë të falsifikuar me emër tjetër, shkruan panorama.
Polici dyshohet se ka lejuar aplikimin e Domart Konjarit për pasaportë me emrin e rremë Arben Lazri edhe pse ka qenë në dijeni të faktit se kërkuesi i pasaportës ishte person në kërkim.
Sipas prokurorisë deri tani është provuar se oficeri nuk ka bërë verifikimet e nevojshme të procedurës në fjalë përndryshe do të kishte zbuluar dënimin me 10 vjet heqje lirie të Konjarit në Francë.
Pasaporta në fjalë u mor nga Konjari në datën 30 tetor 2015 dhe vetëm pesë ditë më vonë ai tentoi të largohej nga Shqipëria në Greqi me atë dokument.
I kërkuari e kaloi kufirin shqiptar por u kthye nga pala greke pasi nuk justifikoi arsyen e udhëtimit. Pas verifikimit në TIMS rezultoi se pas emrit të rremë në pasaportë Arben Lazri, fshihej në fakt Domart Konjari.
Policia gjeti në sistem fillimisht një foto të hedhur në vitin 2007 ku Arben Lazri ishte person tjetër. Për këtë arsye Konjari u arrestua për përdorim dokumentesh false por më pas çështja u transferua tek krimet e rënda.
Ishte gjykata e Apelit të krimeve të rënda që liroi Konjarin duke shkaktuar protestën publike me një letër zyrtare nga ambasadori i Francës në Tiranë Bernard Fitousi i cili tha se shteti i tij kishte harxhuar miliona për ta hetuar e ndjekur Konjarin. javanews/ a.k