Intervistë me Ministren e Integrimit Evropian lidhur me punën dhe detyrat që ka ende Shqipëria për të përmbushur, në mënyrë që të hapë negociatat. Si e shikon ajo punën me Reformat, fushata e keqe ndaj Shqipërisë dhe mesazhi për politikën që duhet të lerë mënjanë pakënaqësitë dhe të përmbushë sa më shpejt Reformën në Drejtësi…
Pa Reformën në Drejtësi, s’ka integrim
Pa Reformën në Drejtësi, ne nuk mund të hapim negociatat. Kjo, ndonëse po punojmë për respektimin dhe përmbushjen e të gjitha masave të lëna për 5 prioritetet kyçe që Komisioni Evropian i ka vendosur Shqipërisë për të kaluar në fazën e radhës. Ecuria e shumë prej masave për këto prioritete është mjaft e mirë, por ndërkaq Reforma në Drejtësi, është decizive dhe ka lidhje të drejtpërdrejtë me avancimin e mëtejshëm të tre prioriteteve kryesore (Forcimi i pavarësisë së institucioneve të drejtësisë, Lufta ndaj krimit të organizuar, korrupsionit )”.
Intervistoi Ben Andoni
Ministrija e Integrimit Evropian Klajda Gjosha është e bindur se politika do ta gjejë gjuhën për të ulur tensionet, lidhur me Reformën në Drejtësi. Është e pakuptueshme për të ose më qartë, atë që ajo e shpreh në mënyrë të përmbledhur për politikën, se: “klasa politike në Shqipëri, duhet të gjejë maturinë për të kuptuar se nuk mund të kërkosh mbështetjen e ndërkombëtarëve, kur nuk përmbush ato reforma apo standarde që i ke vetë në dorë. Shqipëria ka punuar për të përmirësuar imazhin e saj dhe ky imazh nuk mund të cenohet as për dëshira dhe as për kapriçio të njërës apo tjetrës parti politike”.
Referuar asaj për Javanews, Shqipëria i ka përmbushur të gjitha detyrimet deri më tani, veç Reformës në Drejtësi, që duhet realizuar sa më shpejt, sepse kjo Reformë duhet të kishte mbaruar tani. Pyetjes lidhur me bashkëpunimin ndër-institucional, ajo i është shmangur me kujdes, duke treguar se ka tërhequr vëmendjen për raportimet në kohë, por pa treguar realisht sesi janë ato.
Për ata, që procesi i integrimit evropian të Shqipërisë u duket i vështirë, Shqipëria duhet të përmbushë disa masa. Janë 5 prioritete kyçe që Komisioni Evropian i ka vendosur Shqipërisë për të kaluar në fazën e radhës. Megjithatë, diçka çalon dhe ajo lidhet me Reformën në Drejtësi, e cila është decizive dhe ka lidhje të drejtpërdrejtë me avancimin e mëtejshëm të tre prioriteteve kryesore të integrimit: Forcimi i pavarësisë së institucioneve të drejtësisë, Lufta ndaj krimit të organizuar, korrupsionit.
Ndërkohë që znj. Gjosha e ka një përgjigje dhe për fushatën kundër Shqipërisë, na duhet të punojmë thotë ajo, në mënyrë që t’ua mbyllim gojën me punën tonë.
Klasa politike duhet të mbyllë Reformën
Klasa politike në Shqipëri, duhet të gjejë maturinë për të kuptuar se nuk mund të kërkosh mbështetjen e ndërkombëtarëve, kur nuk përmbush ato reforma apo standarde që i ke vetë në dorë. Shqipëria ka punuar për të përmirësuar imazhin e saj dhe ky imazh nuk mund të cenohet as për dëshira dhe as për kapriçio të njërës apo tjetrës parti politike. Reforma në Drejtësi duhet bërë për shqiptarët dhe duhet të jetë një reformë konsensuale dhe cilësore. Duhet të ishte bërë. Duhet mbyllur sa më shpejt”.
INTERVISTA
Prej muajsh, lajmet nga Shqipëria, duken se e kanë bërë pak si të largët perspektivën evropiane. Në çfarë stadi jemi momentalisht sa i përket hapjes së negociatave me BE-në?
“Besoj i referoheni Reformës në Drejtësi, e cila është sigurisht sot që flasim reforma vendimtare për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian. Është folur aq gjatë për të, rëndësinë e saj për procesin e integrimit, sa mendoj se qytetarët presin dhe meritojnë në fakt që kjo reformë të ishte miratuar tashmë. Shqipëria është vlerësuar për progresin e shënuar me reforma të tjera të rëndësishme, por nuk do të thosha të njëjtën gjë për Reformën në Drejtësi, e cila e ritheksoj, nuk ka asnjë arsye të qenësishme përse është ende pa u miratuar nga parlamenti. Mos miratimi i saj, nuk është në dobi të procesit të integrimit, nuk i shërben atij. Pa Reformën në Drejtësi, ne nuk mund të hapim negociatat. Kjo, ndonëse po punojmë për respektimin dhe përmbushjen e të gjitha masave të lëna për 5 prioritetet kyçe që Komisioni Evropian i ka vendosur Shqipërisë për të kaluar në fazën e radhës. Ecuria e shumë prej masave për këto prioritete është mjaft e mirë, por ndërkaq Reforma në Drejtësi, është decizive dhe ka lidhje të drejtpërdrejtë me avancimin e mëtejshëm të tre prioriteteve kryesore (Forcimi i pavarësisë së institucioneve të drejtësisë, Lufta ndaj krimit të organizuar, korrupsionit )”.
Dhe a ka pasur institucioni juaj bashkëpunim të mirë me ministritë e linjës, sa i përket përmbushjes së prioriteteve që kërkon KE nga Shqipëria?
“Ministria e Integrimit koordinon punën më të gjithë ministritë e linjës dhe institucionet e tjera për plotësimin e prioriteteve. Nuk është gjithmonë e lehtë që ky bashkëpunim të jetë maksimal. Unë kam kërkuar në çdo mbledhje të Komitetit të Koordinimit Ndër-institucional për Integrimin Evropian, angazhim veçanërisht për respektimin e afateve me raportimet. Punonjësit e njësive të veçanta në ministritë e linjës, duhet të jenë të dedikuar dhe të respektojnë së pari pozicionin e punës dhe më pas integrimin si prioritet kryesor të kësaj qeverie. Cilësia e raportimeve të kryera prej tyre, ndikon në raportimet që ne kryejmë sistematikisht në Bruksel”.
Ka pasur disa artikulime të personazheve të ndryshme ndërkombëtare sa i përket integrimit të vendit tonë. Mendoni se ka një lloj lidhje për ta vështirësuar integrimin e vendit tonë?
“Në të gjitha takimet që kam pasur dhe këtë dua ta them me shumë sinqeritet: kam hasur një frymë dashamirëse dhe aspak tendenca për të vështirësuar procesin e integrimit të Shqipërisë. E them këtë edhe për ato vende që kanë skepticizëm në rritje sa i përket Bashkimit Europian. Ajo që na kërkohet dhe për të cilën ne këshillohemi apo nxitemi është përmbushja e detyrave tona të shtëpisë, një proces integrimi i bazuar mbi parimin e meritës dhe standardeve. Çdo përdorim tjetër i Shqipërisë për të përfituar kredite në politikën e brendshme, mendoj se është një përpjekje spekulative dhe e pamatur. Në fazën që ne ndodhemi, duhet që ti përgjigjemi këtyre zërave me një vendosmëri akoma dhe më të madhe për të përmbushur ato detyra që na takojnë, duke qenë bashkë për procesin e integrimit, bashkë për të ardhmen e Shqipërisë. Në këtë mënyrë dëshmojmë se interesat e vogla politike dimë ti sheshojmë kur vjen puna të një proces kaq madhor sa ai i integrimit”.
A mendoni se zvarritja e Reformës në Drejtësi po luan rol jo të mirë në atë fytyrë që Shqipëria prezanton para autoriteteve të huaja?
“Jam e bindur se në aspiratën për të qenë pjesë e Evropës së Bashkuar, klasa politike në Shqipëri, duhet të gjejë maturinë për të kuptuar se nuk mund të kërkosh mbështetjen e ndërkombëtarëve, kur nuk përmbush ato reforma apo standarde që i ke vetë në dorë. Shqipëria ka punuar për të përmirësuar imazhin e saj dhe ky imazh nuk mund të cenohet as për dëshira dhe as për kapriçio të njërës apo tjetrës parti politike. Reforma në Drejtësi duhet bërë për shqiptarët dhe duhet të jetë një reformë konsensuale dhe cilësore. Duhet të ishte bërë. Duhet mbyllur sa më shpejt” (Javanews)