Gjykata e Lartë ka liruar ish-drejtorin e Tatimeve të Tiranës, Androkli Kokthin, ndaj të cilit Apeli kishte lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest shtëpie”.
Kokthi akuzohet se në 16 raste u ka kthyer mallrat e sekuestruara bizneseve, në këmbim të shumave monetare.
Hetimi ndaj tij nisi pasi agjentët e antikrimit ekonomiko-financiar në Policinë e Tiranës morën informacione nga inspektorët se në disa raste drejtori i tyre u kthente mallin e bllokuar bizneseve që ata procedonin për shkak se fshihnin detyrimet tatimore.
DOSJA/ Ja pse u arrestua drejtori i Tatimeve në Tiranë, Androkli Kokthi
Nga hetimet e Prokurorisë së Tiranës nisur në janar të këtij viti, 41-vjeçari Kokthi ka shkelur ligjin duke i kthyer një subjekti tregtar mallin e konfiskuar.
Edhe pse malli me vlerë 4 milionë lekë të reja, ishte dërguar në magazinat e Rezervave të Shtetit në mars të vitit 2015, drejtori i Tatimeve Tiranë me anë të një shkrese ka urdhëruar lirimin nga konfiskimi të mallit dhe kthimin e tij subjektit privat që i ishte gjetur malli pa faturë.
Kokthi në këtë mënyrë ka vepruar tërësisht në kundërshtim me ligjin, pasi malli i konfiskuar nuk mund të rikthehet, por vetëm mund të blihet nga subjektit, të cilit i është gjetur pa faturë. Po ashtu, në bazë të procedurave administrative dhe atyre tatimore, një urdhër administrativ i nxjerrë nga një organ më i lartë, nuk mund të shfuqizohet nga një organ më i ulët. Në rastin konkret, Drejtori Rajonal ka shfuqizuar urdhrin e konfiskimit të institucionit epror, që është Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
Nisur nga kjo, Prokuroria e Tiranë ka krijuar dyshimet se Drejtori Rajonal i Tatimeve Tiranë, në bazë të veprimeve të kundërligjshme, i ka shkaktuar shtetit një dëm që llogaritet në rreth 4 milionë lekë. Në këto kushte, Prokuroria e Tiranës ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit, i cili është zbatuar nga ana e forcave të Policisë së Shtetit.
Androkli Kokthi, lindur në Fier dhe banues në Tiranë u arrestua gjatë operacionit “Smile 2”, rrezikon të dënohet me burgim deri në shtatë vjet apo me gjobë nga treqind mijë deri në një milion lekë. 41-vjeçari më parë ka shërbyer në Bashkinë e Tiranës si Drejtor i Taksave, në kohën kur Bashkia drejtohej nga Edi Rama.
Panorama/d.i.