Agjencia Kombëtare e Bregdetit sjell në kujtesën e lexuesit se një sërë mediash prestigjoze botërore si New York Times, “Yahoo Finance” gjigandi mediatik online, apo Washington Times, botojnë artikuj mbi ruajtjen e trashëgimisë komuniste si një pjesë e rëndësishme e turizmit kulturor.
“Kjo ka qenë një ide e hedhur me kohë nga AKB,si një atraksion i veçantë i turizmit historik dhe atij të kuriozitetit mbi trashëgiminë komuniste”, thotë Drejtori i Përgjithshëm i kësaj Agjencie, Auron Tare.
Po të llogarisim numrin e shumtë të bunkerëve dhe tuneleve që u ndërtuan në kohën e luftës së ftohtë që bënin dy blloqet e fuqishme ushtarake, NATO dhe Traktati i Varshavës, regjimi komunist i lënë jashtë këtyre fuqive të mëdha ushtarake, hodhi në treg strategjinë e vetëmbrojtjes popullore.
Kështu u ndërtuan me dhjetramijëra bunkerë vetëmbrojtjeje që i kushtuan shumë ekonomisë vendase, që nuk u përdorën kurrë, por që sot janë kthyer në një destinacion kurioz për turistët e huaj. Të shpërndarë në krejt territorin shqiptar, ata diku kanë mbijetuar por në të shumtën e rasteve janë prishur e shkatërruar për shfrytëzimin e hekurit që përmbajnë. Sot ato që kanë mbetur janë objekte të vizitueshme për kuriozët, por edhe objekt për kamerat dhe gazetarët e huaj. (javanews.al / a.r)