Gjergj Bojaxhi, ish-drejtues i KESH dhe ish-kandidat për kryetar në Bashkinë e Tiranës ka komentuar akuzat e ngritura ndaj tij nga policia.
Në studion e Sokol Ballës në emisionin “Top Story”, Bojaxhi tha se hetimi i policisë është bërë pa e thirrur për asnjë moment. Sipas tij gjithçka është e sajuar.
“Akuzat ndaj meje, të sajuara apo të keqprdorura. Hetimi i policisë ndaj meje, pa më pyetur. Mund të më thërrisnin dhe do t’ju jepja shumë të dhëna”, tha Bojaxhi.
Bojaxhi është vënë nën hetim për abuzime nga kompania “Everest Oil”, ku Bojaxhi është aksioner.
Sipas hetimit policor, tashmë dorëzuar në Prokurori, “nga deklarimet në ILDKPKI sqarojnë se ka patur burime financiare, por që siç shihet ‘kursimet’ e familjes Bojaxhi në vite nuk i kalojnë 50,000 Euro (deklarata e 2011) duke pasur parasysh se në këto deklarime nuk detajohen shpenzimet për jetesë! Duke qenë se Everest Oil Sha rezulton të jetë një superkompani me fitime mbi 280 milion Lekë, pse atellitë Lumturi Hasanmataj (vjehrra e Gjergj Bojaxhi) i shet aksionet për vetëm 26,000 Euro, ndërkohë që nga shpërndarja e fitimit të kompanisë në vitin 2014, Lumturi Hasanmataj ka përfituar mbi 60 milionë Lek ose 430,000 EURO (llogaritur sipas përqindjes së kuotave)?”
Sipas policisë janë evidente dyshimet për krijimin, zhvillimin dhe operacionet financiare të kësaj kompanie.
“Në deklarimet doganore kompania “Everest Oil” ka marrëdhënie tregtare me dy kompanitë “Lab Oil” dhe “Hip Petrol”, të cilat ushtrojnë aktivitetin në Kosovë. Kompania “Lab Oil” është e lidhur me shoqërinë “ARMO”, të cilës i ka dhënë kredi në shuma të konsiderueshme. “Lab Oil”, sipas deklarimeve, ka kredi të konsiderueshme në bankat e dyshimta, duke vendosur si kolateral disa prona në Sarandë në emër të shtetasit Raif Gashi”, thotë raporti./a.m.
INTERVISTA
Sokol Balla: Në Shqipëri është normalitet që një element i ri politik, i cili duket se vendos në rrezik palët kryesore të politikës, bën që këta të fundit të çfarëdo krahu ta sulmojnë. Në pjesën e parë të emisionit, Bojaxhi është përpjekur t’u përgjigjet akuzave si biznesmen dhe vjen pikërisht në cilësinë e personit nën hetim. Ju erdhi e papritur kjo që po ndodh?
Gjergj Bojaxhi: Më shumë e papritur është fakti që përfshihen anëtarë të familjes sime, me një kosto të dhimbshme për ne por edhe për jetën politike në këtë vend. Gjithnjë na surprizojnë me të tilla gjëra politikanët shqiptarë. Sot do të uroja shqiptarët edhe ditën e Shën Gjergjit, i cili ka vrarë me shigjetë dragoin…
Sokol Balla: Sa i shenjtë është Gjergj Bojaxhi?
Gjergj Bojaxhi: Nuk jam qytetari më i mirë, absolutisht që ka shumë më të përsorur se mua, por për akuzat që më kanë bërë jam i bindur se jam një qytetar i rregullt dhe tëpër korrekt me ligjin.
Sokol Balla: Si gazetar kam sensin e skepticizmit për gjithçka. Rëndësi ka që publiku të kuptojë më shumë për atë që po ndodh, sepse akuzat nuk janë të lehta. Të flasim për kompaninë që ju keni ngritur. E çfarë natyre?
Gjergj Bojaxhi: Kompania “Everest” është regjistruar në korrik të 2012-s dhe ka marrë këtë emër nga aksionerët e kompanisë, sigurisht edhe për arritjen tonë që ngjitëm majën më të lartë të botës.
Sokol Balla: “Everest Oil” nuk është themeluar prej jush, por nga një tjetër shoqëri, që sipas hetimit policor “Superba Srl”, italiane me seli në Napoli (por ju thoni në Gjenovë), ku aksionerë janë bashkëshortja juaj dhe disa të tjerë. Për kuotat e reja ju keni paguar diku 10 mijë dollarë. Një i afërm i juaji është aksioner gjithashtu. Vet “Superba” është themeluar shumë pak kohë nga themelimi i “Everestit”, në fund të të cilës del emri i Otto Lenghit, si pronar i gjithçkaje.
Gjergj Bojaxhi: Kompania ime nuk është themeluar nga “Superba”, le ta ndihmojmë edhe Policinë e Shtetit të marrë informacione më të sakta. Nuk kishin pse të lodheshin kaq shumë dhe mund të më kishin thirrur për t’iu dhënë informacion. Shoqëria është krijuar nga disa aksionerë, përfshi edhe bashkëshorten time. Këtu nuk ka gjë për t’u fshehur, sepse informacioni është publik në faqen e QKR-së, ku mund të gjendet i gjithë historiku. Asgjë nuk është jonormale në këtë mes. Unë jam emëruar si administrator i kompanisë dhe 10% më është dhënë për të pasur mundësi të jem aksioner, në mënyrë që të punoj duke mbajtur përgjegjësi për këtë. Otto Lenghi ka punuar me shtetin shqiptar që në vitin 2004, kur është punuar për Petroliferën në Vlorë, është takuar me të gjithë politikanët në pushtet dhe opozitën e asaj kohe. Është një qytetar i rregullt dhe një investitor shumë i rëndësishëm dhe serioz. Deri këtu çdo gjë është publike dhe në përputhje me ligjin, kështu që nuk kuptoj se çfarë ka për t’u trajtuar si pjesë e një hetimi. Nuk besoj se ndonjëri të jetë kundër barazisë gjinore në këto aksione. Ne kemi të deklaruara të gjitha të ardhurat e fituara në emigracion, por edhe gjatë punëve të ndryshme.
Sokol Balla: Të qëndrojmë te zoti Lenghi, që është pronar i Petroliferës rumune, pronare e përgjithshme edhe e Petroliferës shqiptare. Por a ka një lidhje interesash mes këtyre kompanive?
Gjergj Bojaxhi: Këto kompani janë zbatueset më të rregullta të ligjeve kudo ku shtrihen, në Itali, Rumani apo Shqipëri. Lidhje pronësie mes këtyre bizneseve ka, por është në përputhje të plotë me ligjin, dhe nuk kuptoj se çfarë ka këtu që shkel ligjet apo moralin. Nuk e di ende problemin e policisë.
Sokol Balla: A mund të quhet kjo një skemë e ngjashme me kompanitë guackë, siç u zbulua skandali i fundit “Panama Papers”?
Gjergj Bojaxhi: Nuk jam jurist, megjithatë nga informacioni që unë kam, nuk ka asgjë që Everesti të ketë të bëjë me kompanitë e tjera. Ajo është e regjistruar në Shqipëri dhe paguan dividentin dhe taksë për dividentin rregullisht. Policia e Shtetit nuk dëshiron ta marrë informacionin e plotë dhe gjoba që na është vënë është vendosur nga drejtori i Tatimeve të Tiranës, i cili sot është nën arrest. Ajo është apeluar brenda institucioneve të Tatimeve dhe Apeli e ka rrëzuar këtë, sikurse edhe Gjykata Administrative. Raporti është qartazi me informacion të vjetër. Kompania Everest ka paguar aq shumë taksë vitin e kaluar, saqë shteti shqiptar na ka detyrim të na kthejë diçka, pasi kemi paguar më shumë se ç’duhej. “Everesti” nuk transferon fonde jashtë, përveçse kur paguan dividentin, që tatohet sipas ligjit shqiptar. Ne kemi kompani telekomunikacioni në Shqipëri, që fitimet i bëjnë këtu dhe i transferojnë në vende të tjera pa paguar taksë. Unë nuk di si bëhen kompanitë guackë, por ju siguroj se me të gjithë punën që bëjmë e kemi transparente, duke zbatuar ligjet dhe standardet e shtetit shqiptar.
Sokol Balla: A ka lidhje mes aksionerëve tuaj dhe “Superbas”? Cili është fokusi i aktivitetit të “Everest Oil”, kompanisë që ju administroni?
Gjergj Bojaxhi: Kompania ime nuk ka bërë import apo eksport, por ndërmjetësim të produkteve të kompanive të mëdha, sepse kompanitë e mëdha nuk kanë përfaqësi në Shqipëri. Ata gjejnë kompani lokale dhe në bazë të tyre bëjnë shitjet e tyre. Në Vlorë kemi një kontratë depozitimi, duke paguar qira për çdo ngarkesë, ndaj dhe të gjitha gjërat e thëna për xhirot e mëdha janë të pasakta. Ne thjesht menaxhojmë shitjet dhe volumin, por nuk marrim risk mbi vete, ndaj dhe nuk deklarohet i gjithë volumi si fitim i yni. Kemi deklaruar çdo gjë që nga dita e themelimit e deri më sot. E gjitha kjo skenë e madhe e ndërtuar nuk ka justifikim normal sesi shteti trajton një biznes. Ne si kompani nuk kemi bërë kurrë transaksione me kompani shtetërore shqiptare, as nuk kemi bërë ndonjë tender, por e vetmja marrëdhënie me shtetin tonë është pagesa e taksave në mënyrë të rregullt.
Sokol Balla: Ju vet keni qenë zv.ministër i Ekonomisë, kur PD-ja tha se do ta mbyllte aktivitetin, e që më pas u rinegociua marrëveshja me Petroliferën.
Gjergj Bojaxhi: Kjo është dhënë me koncesion kur unë kam qenë duke punuar në Kombet e Bashkuara në Nju Jork. Kur unë kam ardhur këtu, qeveria Berisha bëri një premtim se do të anulonte disa nga këto projekte, por çështja shkoi në Arbitrazh dhe Avokatura e Shtetit e ndoqi çështjen, duke mos pasur lidhje me ministrinë, ndërsa në prill të 2007-s, pasi Arbitrazhi u humb nga shteti shqiptar, u vazhdua kjo kontratë. Gjatë kësaj kohe unë s’kam qenë pjesë e qeverisë së Shqipërisë. Është njësoj sikur t’i thuash dikujt që ka punuar në Dogana apo Tatime, që të mos punojë në asnjë biznes tjetër, sepse ka konflikt interesi me këto institucione. Kur shteti shqiptar vendosi ta vazhdonte bashkëpunimin me këtë kompani, unë s’kam qenë pjesë e qeverisë dhe nuk kam pasur gjë për të vepruar apo rinegociuar. Po të ishte te gjykatat shqiptare, ne mund të bënim përmirësime të kontratave koncesionare.
Sokol Balla: Për shkak të detyrës, ju jeni marrë me Petroliferën dhe e dini aktivitetin e saj, që i ndalon marrjen për tregti me pakicë të karburanteve. A mund të thuhet se ka një pikëpyetje mbi veprimtarinë e dy firmave që të kenë shfrytëzuar me zotësi vakuumet ligjore?
Gjergj Bojaxhi: Nëse kompania ime ka shkelur licencën, shteti shqiptar le ta çojë për hetim dhe gjykim. Kontrata e koncesionit është aty, nëse duan që kjo kompani të heqë dorë nga funksionaliteti i saj, atëherë le të vijnë dhe ne u kërkojmë aksionerëve dorëheqjen. Nuk ka asgjë të paligjshme që aksionerët e Everestit të jenë në këtë kompani. Shteti shqiptar ka pasur 4 vite kohë që ta shqyrtonte këtë çështje, megjithëse përpara disa vitesh Autoriteti i Konkurrencës e ka trajtuar këtë dhe është konkluduar që nuk ka asnjë shkelje të ligjit. Unë s’kam asnjë interes si administrator, që Superba të jetë aksionere, por nëse duan që të largohet, le ta bëjnë të ditur.
Sokol Balla: Nëse ju do të ishit sot në qeveri, do ta lejonit një funksionim të tillë?
Gjergj Bojaxhi: Nga informacioni që unë kam po, sepse nuk nuk ka asnjë konflikt interesi. Pavarësisht se këtu nuk flas dot si specialist, sepse nuk kam të gjitha informacionet e duhura për të interpretuar në themel gjithçka.