Në Paris një punëtor e ka akuzuar kompaninë se kishte krijuar një atmosferë të mërzitshme duke e detyruar atë të japë vetë dorëheqje.
Frederic Desnard pretendon se pas katër vitesh, që ka punuar në një kompani të prodhimeve kozmetike, e ka lënë atë “me depresion, të shkatërruar dhe të turpëruar”.
44-vjeçari thotë se “ka rrjedhur ngadalë drejtë Ferrit”, për shkak se firma ku punonte nuk e vlerësonte sa duhet.
Për këtë arsye, ai e ka dërguar rastin para drejtësisë dhe po kërkon nga kompania një dëmshpërblim deri në 380 mijë euro.
“Më zhveshën nga të gjitha detyrimet, derisa bënë që të ndihem sikur nuk ekzistoj”, ka thënë Desnard për mediat, lidhur me shkakun që e detyroi të jepte dorëheqje, shkruan telegrafi.
“E lija punën me një ndjenjë të keqe. Kur kthehesha të nesërmen, filloja të qaja por askush nuk e vinte re, sepse askush nuk kujdesej për mua. Më dukej sikur po paguhesha pa bërë asgjë dhe u largova”, ka shtuar ai.
Në anën tjetër, kompania prodhuese nuk ka dhënë ndonjë përgjigje lidhur me akuzat, të cilat do të trajtohen nga ‘Tribunali i Punësimit’ në Paris. (bw / a.r)