Partia Demokratike denoncoi sot marrjen dhe ndarjen e pasurive publike, të mijëra metrave katrorë toke dhe truall për klientët dhe shërbëtorët e qeverisjes. Sipas PD kjo tregon mungesën e transparencës dhe skemat e korrupsionit, që zbaton sipas tyre, kryeministri Rama për të favorizuar apo shpërblyer njerëzit e vet.
Në një deklaratë për mediat, nënkryetarja e Departamentit të Pushtetit Vendor, Dhurata Çupi publikoi rastet e favoreve që ka bërë Rama, mes të cilëve edhe rastin kur ndërtuesit të këndit te Parku i Liqenit, i janë dhënë me vendim qeverie 10 mijë metër katrorë në Durrës.
DEKLARATA E PLOTE
Partia Demokratike denoncon sot para mediave dhe opinionit publik një skemë korrupsioni që shënon një tjetër kulm të babëzisë së Edi Ramës dhe oligarkëve në pushtet. Bëhet fjalë për marrjen dhe ndarjen e pasurive publike, të mijëra metrave katrorë toke dhe truall për klientët dhe shërbëtorët e qeverisjes së korruptuar të Edi Ramës.
Konkretisht:
- Edi Rama i ka dhënë Kaselit ish-Ndërmarrjen e Gomave, ish-NPV-në dhe ish-Fabrikën e Tubave. 10 mijë metra katrorë në mes të Durrësit i merr shërbëtori i Ramës, ai që po hedh betonin e paligjshëm të Erion Veliajt në Parkun e Liqenit.
- 52 mijë metra katrorë në mes të Elbasanit, ish-rezervat e shtetit, i shkojnë Lucës së Rozafës.
- Më i favorizuari mbetet komisari i Jugut, Kokëdhima, i cili u ka vënë syrin pronave më të mira të bregut. E ka nisur me një pronë të Ministrisë së Mbrojtjes në Lukovë, ku një prej objekteve në vendin më të favorshëm turistik me 2135 metra katrorë i jepet Koços.
Pronë që do të kthehet në biznes privat, që të prodhojë para për komisarin e Jugut.
Në çdo mbledhje qeverie, Edi Rama ndan me koncesion, toka, pyje e kullota, pasuri publike, pa asnjë transparencë, pa kriter, duke ndjekur rregullin e vetëm që është në fuqi;
Gjithçka për vete dhe oligarkët.
Ka 3 vite që nuk ka asnjë vendim transferimi të pronave publike tek njësitë vendore. Ka 3 vite që ish-pronarëve nuk u kthehet asnjë m2 truall.
Dhe prej 3 vitesh, pasuria e tij dhe e oligarkëve vetëm shtohet dhe rritet.
Ky është korrupsioni me të cilin sundon Rama: miliona euro, qindra pasuri publike të zhvatura, të plackitura, vjedhje në çdo drejtim, në çdo degë të qeverisë.
Kjo është arsyeja se pse në Shqipëri ka pllakosur zia ekonomike, ka më pak vende pune dhe punësim, më pak konsum dhe më pak investime, ka më shumë varfëri dhe mjerim.
BW/d.i.