Nga Mentor Kikia
Reforma territoriale, bashkimi i komunave me bashkitë, ishte një proces i domosdoshëm, për ti dhënë fund edhe komunave me nga 300 banorë që hanin fonde vetëm për paga. Por që prej krijimit të hartës së re territoriale, fshati ka mbetur pa qeverisje.
Kryetarët e bashkive e kanë përqëndruar vëmendjen vetëm në qytete, sepse atje ka kamera, atje ka impakt publik, atje janë edhe votat. Atje ata shkulin e ngulin peme, shtrojnë parqet e sheshet me pllaka majolike… Ndërsa fshati nuk qeveriset më.
Reforma nuk u shoqërua me ligjin e decentralizimit dhe sot njësitë administrative nuk kanë asnjë qindarkë fond, nuk kanë asnjë njeri në punë të hedhe një karrocë zhavorr në një rrugë, nuk kanë as edhe një copë letër të bardhë për të lëshuar një vërtetim, nuk kanë para për të blerë shkumësa për shkollat, apo detergjentë për qendrën shëndetësore.
Edhe një xham po të thyhet në një shkollë fshati, administratori duhet t’i bëjë kërkesë këshillit bashkiak, duhet të pritet mbledhja e tij, të aprovohet buxheti, të zbardhet vendimi, të kalojë fondi, të bëhet tenderi… për të blerë xhamin.
Deri atëherë ka mbaruar ose dimri ose shkolla.
Ky është një tmerr!