Hakmarrja ka qenë motivi i vrasjes të së dielës në mbrëmje në Tiranë, pranë stadiumit “Selman Stërmasi”.
Gazeta Panorama ka zbuluar nga burime pranë grupit hetimor se viktima ka pasur një sherr të mëparshëm me atentatorin.
Ky i fundit ka vepruar duke e ekzekutuar Elton Çiçën me dy plumba në kokë në mes të lokalit.
Bomba ushtarakut në Kombinat
Vrasja ka lidhje edhe me një ngjarje të ndodhur pak kohë më parë në Kombinat, ku ushtarakut Elton Imeri i vunë bombë në makinë.
Edhe atëherë, hetimet për shpërthimin në makinën e oficerit të policisë ushtarake Elton Imeri në Kombinat u përqendruan në pistën e hakmarrjes.
Kjo pasi nga verifikimet e Prokurorisë e Policisë, ka rezultuar se në korrik të vitit të kaluar, vëllait të oficerit Ervis Imeri, i kanë vendosur tritol poshtë makinës Fiat në të njëjtën mënyrë në Tiranë.
Dyshohet se pasi kanë dështuar me atentatin ndaj Ervis Imerit, i cili e zbuloi bombën nën makinën e tij, autorët e ngjarjeve kanë dashur të hakmerren ndaj ushtarakut Elton Imeri, duke i vendosur bombën nën makinën Golf 4.
Vëllai i ushtarakut, shtetasi Ervis Imeri, është i dyshuar se në 31 mars, natën, në lagjen “Demokracia” në Tepelenë, bashkë me tre persona të maskuar e të armatosur, me armë dhe me dhunë grabitën shtëpinë e të moshuarit Naim Çiça, babai i Elton Çiçës.
Ervis Imeri është njëri nga katër grabitësit e NaimÇiçës.
Panorama/d.i.