Në Kosovë llogaritet se 33 për qind e fëmijëve jetojnë në varfëri ekstreme, referuar Koha.
Sipas të dhënave zyrtare, gjithashtu thuhet se 10.7 për qind e fëmijëve në Kosovë janë të përfshirë në punë, përderisa 6.8 për qind e fëmijëve punojnë në kushte të rrezikshme.
Kurse, 61.4 për qind e fëmijëve deri në moshën 14 vjeç kanë pësuar nga dhuna psikologjike dhe fizike.
Kështu deklaron Donjeta Kelmendi, drejtoreshë e Koalicionit për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF), sipas së cilës edhe fëmijët me nevoja të veçanta nuk i realizojnë plotësisht të drejtat e tyre në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe mirëqenies sociale.
Rreth 1200 fëmijë janë pa përkujdesje prindërore, të strehuar te të afërmit, strehim familjar apo strehim rezidencial.
Kosova nuk ka ligj për mbrojtjen e fëmijëve. Kelmendi thekson nevojën e miratimit të Ligjit për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, që pritet të miratohet nga Qeveria e Kosovës, ku kjo e fundit, si përfaqësuese e organizatave për mbrojtjen e fëmijëve, ka dërguar edhe rekomandimet te kryeministri i Kosovës, për përcaktimin e buxhetit për Projektligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve, si dhe krijimin e grantit specifik për Shërbime Sociale . (B.an)