Një makinë bombë shpërtheu në hyrje të një stacioni policie në qytetin Gaziantep, duke lënë të vdekur 2 punonjës të policisë, ndërsa 19 të tjerë mbetën të plagosur. Mes të lënduarve janë edhe 2 civilë, të cilët kanë marrë plagë të rënda. Qyteti është në afërsi të kufirit me Sirinë. Autoritet policore deklaruan gjithashtu se krahas shpërthimit të makinës bombë, janë dëgjuar edhe të shtëna me armë zjarri.
Turqia, e cila po përballet me fluksin në rritje të emigrantëve nga konflikti në Siri dhe konfliktin me militantët kurdë, nga ana tjetër ka patur një rritje të sulmeve terroriste të kohëve të fundit.
Vetëm gjatë vitit të kaluar, më shumë se 200 njerëz në të gjithë vendin janë vrarë në gjashtë shpërthime terroriste që kanë goditur Turqinë, shkruan Shqiptarja.com. Sulmi i ditës së sotme në Gaziantep, vjen tre ditë pasi një femër hodhi veten në erë në qytetin e Bursës, në veriperëndim të Turqisë, duke lënë të plagosur rëndë 13 persona.
Ndërkaq, në Turqi, gjatë kësaj të diele, është regjistruar edhe një sulm me raketa në qytetin Kilis, fare pranë kufirit me Sirinë. Mediat turke thonë se sulmi u mor përsipër nga militantët e shtetit islamik, ndërsa menjëherë më pas ushtria turke nisi një ofensivë ndaj objektivave të ISIS në brendësi të kufirit sirian, duke vrarë nëntë militantë islamikë.
Javanews/ a.k