Një proverb frëng thotë: “Mos u merr me qimen te syri i komshiut, por shih traun që të ka hyrë te syri yt”. Pa pikën më të vogël të interesit publik, Fatos Lubonja hap një polemikë përse nuk e lanë të hynte te mbledhja publike ku kryeministri shpaloste projektin për stadiumin e ri “kombëtar” . Kombetar i thënçin, pasi ai truall, ish-pronë e popullit shqiptar është tashmë pronë private që prej një vendimi të Sali Berishes kur ishte kryeministër më 2011. Këtu qëndron skandali. Nuk e pashë Lubonjën të protestonte më 2011. Nuk është e hijshme që inatet personale që ai ka me Edi Ramën, ta çojnë në këtë pikë verbërimi. Por le t’ja hapim sytë shqiptarëve sa nuk është vonë. Nëse Lubonja është dakord me këto që do të shpalos këtu më poshtë, dhe nëse kërkon angazhim militant si shoqëri civile, le të bëhet palë paditëse kundër vendimit të qeverisë më 2011 që grabiti shqiptarët.
Si në mall të babait
Për një herë të vetme që një trualli të rëndësishem nuk i kishte dalë pronari, nuk ishte e thënë që shqiptaret ta gëzonin atë deri në fund. E megjithatë, me stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” e kujtonim veten të imunizuar nga lukunitë e lakmitarëve. Kjo pasi gjërat kanë qenë gjithmonë të qarta. Në kujtesën kolektive, ai vend përbënte një pronë kombëtare për aktivitete sportive. Si për futbollin, ashtu dhe për atletikën. Por në shkurt 2011 Kryeministri i asaj kohe Sali Berisha, vendosi me firmën e tij ekskluzive t’ua shpronësojë shqiptarëve këtë pronë të përbashket që ai kishte për të detyrë ta mbronte. E bëri këtë, ndonëse kjo pronë e kishte një zot, popullin të përfaqesuar nga deputetët e zgjedhur dhe jo nga një kryeministër që s’e ka zgjedhur kush. Kjo pronë e kishte dhe një çmim. Më 2011 ajo vlerësohej te 50 milionë eurot. Një thesar për një vend të varfër si i yni. Këtë pasuri të patundshme Berisha ia serviri në tepsi një shoqate private. Ajo quhet Federata Shqiptare e Futbollit. Kjo shoqatë nuk ka as më shumë e as më pak të drejta sa një shoqatë atletike, noti, apo thjesht një shoqatë futbolli në një lagje të çfavorizuar. Ashtu siç është FIFA në planin botëror, një shoqatë tipike korporatiste që mbron interesat e saj dhe jo ato publike, ashtu janë dhe federatat kombëtare të futbollit. Krijesa totalisht private që përfasojnë interesat e anëtarëve të tyre. Këto Federata futbolli janë kaq private dhe opake në organizmin e tyre, saqë nuk pranojnë me rregullore të posaçme nga FIFA që politikanët dhe qeveritë të fusin hundët në organizmin e tyre të brendshëm. Nga ana tjetër po ashtu, ka dhe me qindra miliona qytetare në botë që as duan t’ja dinë për këto shoqata pasi nuk u intereson futbolli dhe kjo është e drejtë e tyre. Kështu që, kur një federatë fubolli ka plan të ketë një stadium të sajin, është drejt anëtarëve të saj që ajo duhet të orientohet për të gjetur fondet dhe jo drejt bashkësisë kombëtare. Shteti qëndron karshi sporteve si qëndron karshi feve. Laik. Pasi po i dhurove një stadium federatës së futbollit, nesër krijohet një federatë bis futbolli që do dhe ajo stadiumin e saj. Po ashtu edhe federeta e basketbollit do pallatin e saj të sportit, dhe ajo e volebollit një tjetër pallat sporti, dhe federata e notit do pishinat e saj, e kështu me rradhë deri tek federata e pinpongut apo, ajo e skive që do t’i kërkonte shtetit një mal me pajisje (në kuptimin e parë të fjalës). Kjo s’do të thotë që shteti të mos i ndihmojë sportet. Por kur shteti ndërton shkolla, ai nuk ja fal ato shoqatave të mësuesve! As spitalet shoqatave të mjekëve. Ato mbeten pronë kolektive. Po u kuptua ky arsyetim i thjeshtë, s’mund veçse të skandalizohesh nga VKM-ja (Vendim i Keshillit te ministrave) që mban numrin 79 të muajit shkurt të vitit 2011 dhe firmen e të plotëfuqishmit Sali Berisha. Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa” me 35 mijë metrat katrorë të tij, që e kalojnë sot vlerën e 50 milionë eurove (nëse e marrim në atë zone minimalisht vlerën e 1500 eurove për metër katror) i falet një shoqërie private fantazëm e krijuar enkas, që mban emrin Qendra Sportive Kuqezi, ose QKSZ. Fatmirësisht kjo shoqëri nuk ishte instaluar në Panama dhe njihen pronarët e saj të ligjshem, që janë: 75% Federata Shqiptare e Fubollit-domethënë kësaj shoqate i falen gati 38 milionë euro prone publike-dhe 25% shteti shqiptar. Ku ndodhej opozita politike asaj kohe e përfaqësuar nga Edi Rama kur u krye ky akt grabitjeje i pashoq i pasurise publike? Ku ndodhej shoqëria civile e asaj kohe që Fatos Lubonja pretendon sot se e përfaqëson?
Për çfarë shokohemi sot?
Vimë tek polemika aktuale. Qëllimtazi do të marr këtu tonet e avokatit të djallit, për t’i treguar Fatos Lubonjës se është tepër vonë, mon ami! Meqenëse ortaku mazhoritar i QKZS-së-kompanisë që Berisha i fali stadiumin- eshte Federata Shqiptare e Futbollit (75% e kapitaleve), me ç’të drejtë ligjore mund t’i kërkohet asaj të bëjë një tender për ndërtimin e stadiumit të ri? Dhe aq më pak me ç’të drejtë ne shqiptarët e tradhtuar kahera në këtë dosje, rrudhim buzët pse firma e përzgjedhur qenka një kompani fierake me një arkitekt Italian? Për ta çuar provokimin edhe më larg, me ç’te drejtë ndërhyn kryeministri Rama në këtë dosje, pasi ai dhe shqiptarët që ka pas, s’përfasojmë vetëm 25% të aksioneve? Qytetarët janë ortakë minoritarë, pasi kështu e vendosi Sali Berisha pa i pyetur ata. Prandaj e shkruaja që në hyrje të këtij shkrimi se në vend që të merremi me qimen me të cilën po na gudulis në hundë Edi Rama që e ka marrë më shumë seriozisht se ç’duhet këtë dosje, le të shkulim traun që na ngulur në sy Berisha. Nëse ka vërtet sot një shoqëri të mirëfillte civile, e organizuar si person juridik, le të hedhë në gjyq vendimin e Berishës më 2011 që ia fali stadiumin aktual kompanisë ku pjesën mazhoritare e ka Federata Shqiptare e Futbollit. Vetëm kur kjo pronë të na rikthehet në zotërim 100% siç e kishim më parë, atëherë po, do te kemi sy e faqe t’i kërkojmë llogari Kryeministrit aktual sesi ka vendosur ai ta trajtojë pronën tonë.
Në Francë, në këto raste, flet drejtësia
Padia ndaj vendimit nr. 79 të qeverisë së Berishës më 2011 nuk është aspak fantazi. Në shtetet e të drejtës kështu ndodh. Siç ndodhi në Francë me skandalin e ndërtimit të stadiumit më të famshëm, “Stade de France” , i ngritur për Botërorin 1998. Qeveria e djathtë e Eduard Baladyr ia dha koncesionin e ndërtimit dhe shfrytëzimin për 30 vjet dy firmave më të mëdha franceze të ndërtimit, Bouygues dhe Vinci. Bouygues është po ashtu pronare e kanalit më të madh televiziv francez TF1, deciziv në fushatën presidenciale që vuri ballë për ballë asaj kohe dy liderët e të djathtës, Shirak si shef i partisë, kundra Baladyr si kryeministër i të njëjtës parti. Për t’i “pëlqyer” firmës koncesionare Bouygues, kryeministri francez, me vendim të tijin, i akordoi një rentë shtesë koncesionarit që nuk ishte parashikuar në projektin fillestar, gati 300 milionë euro plus. Një skandal që e denonoci dhe e hodhi në gjyq arkitekti më i famshëm kontemporan francez, Zhan Nuvel, dhe e fitoi. Ashtu siç fituan qytetarët e tjerë francezë para një viti kur bllokuan me vendim gjykate projektin më të rëndësishëm të tenisit francez, zgjerimin e fushave ku luhet turneu i famshëm i Parisit, Roland Garros. Bashkia e Parisit, në emër të interesit kombëtar, vendosi dhe ajo t’i akordojë një favor Federatës Franceze të Tenisit dhe ta lejojë të zgjerojë parkun e tenisit Roland Garros pasi ka vend plot në tokat e pyllit fqinj të Bulonjës. Jo vetëm Bashkia e Parisit, por edhe qeveria franceze e mbështeste këtë zgjerim gjeografik të Roland Garrosit, pasi pa këtë, nuk mund të fitojë kandidatura e Parisit për organizimin e lojrave olimpike. Kjo histori ka filluar që më 2006 dhe është bllokuar falë luftës së ashpër juridike të avokatëve të shoqatave të qytetarëve parizianë. 10 vjet më vonë, muajin e kaluar, gjykata administrative e Parisit, urdhëroi bashkinë, shtetin dhe federatën franceze të tenisit të ndalojnë punimet. Kjo është një shoqëri e denjë civile dhe demokratike. Ajo që përdor mjete legale juridike, ajo që paguan nga xhepi i saj, me kuotizacionet e qytetarëve për të pajtuar avokatë të sprovuar dhe për t’i treguar shtetit se nuk mjafton të kesh vetëm votën popullore, por edhe autorizimin e organeve të drejtësisë kur prek pronën publike. A është i gatshëm ta bëjë këtë Fatos Lubonja në vend që të humbasë kohë në salla mbledhjesh publike për t’u gricur me kryeministrin, apo në vend që të përkrahë kauza dështake të dhunës fizike siç janë përleshjet e qytetarëve me policinë në parkun e liqenit për një kënd lojrash. Shtetin e të drejtës ta fillojmë ta zbatojmë nga vetja para se t’ua kërkojmë politkanëve. Në këtë pikëpamje, aktualisht Federata Shqiptare e Futbollit po respekton totalisht shtetin e të drejtës duke bërë çfarë t’i dojë qejfi me stadiumin, pasi ai truall është pronë e saj. Fajin s’na e ka as kjo Federatë, as Rama, por Saliu. A jemi në gjendje të ngrejmë padi kundër aktit të grabitjes dhe jo kundër projektit të ndërtimit? That is the question, zoti Lubonja.
Bravo z.Genci,
Me keqardhje them qe Fatosi ka disa vjet qe ja fut kot; qekur gjykon me nje duf inatçiu feminor…