Nga Prof. Aleko Miho*
Në 15 Prill 2016, Parlamenti Europian në Rezolutën për vendin tonë i bën thirrje Qeverisë Shqiptare ‘të kontrollojë zhvillimin e hidrocentraleve në zonat e ndjeshme mjedisore, si në lumin Vjosë, ashtu dhe në zonat e mbrojtura, për të ruajtur integritetin e parqeve kombëtare ekzistuese’ (Pika 23). Po aty, rekomandon ‘përmirësimin e cilësisë së raporteve të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM-të); kjo do të lejonte zbatimin e standardeve të BE të dhëna në Direktivat e Shpendëve dhe Habitateve, si dhe në Direktivën Kuadër të Ujit (WFD)’. Rezoluta nxit, gjithashtu, Qeverinë tonë ‘të rritë transparencën përmes pjesëmarrjes publike dhe përmes konsultimeve për gjithë projektet e planifikuara’.
Kjo është Rezoluta e dytë që merr në shqyrtim çështjen e HEC-ve në Shqipëri dhe veçanërisht në Vjosë. Një vit më parë, po në Prill 2015, PE i kërkon Qeverisë ‘braktisjen e planeve për ndërtimin e HEC-eve përgjatë lumit të Vjosës dhe degëve të tij, sepse këto projekte do të dëmtojnë lumin e fundit të egër në Europë dhe ekosistemet e tij natyrore’.
Këto dy Rezoluta përbëjnë një këmbanë alarmi për Shqipërinë lidhur me qëndrimin ndaj natyrës dhe ndaj lumenjve në veçanti. Pavarësisht nga disa masa mbrojtëse në vitet e fundit, përsëri pak kuptohet rëndësia e çështjeve mjedisore në atmosferën shqiptare, si atë shtetërore dhe private. Etja për zhvillim të shpejtë dhe për pasurim në çast shpesh mbyll sytë dhe errëson rrugën tonë! Për fat ndodh që kjo ngutje të na kthehet mbrapsht me kosto, madje mjaft rëndë dhe jo e riparueshme.
Më duhet të theksoj se mbrojtja e natyrës dhe e biodiversitetit nuk është një kërkesë e thjeshtë vetëm e ekspertëve të mjedisit apo dashamirësve mjedisorë, apo e faktorëve ndërkombëtar, por një detyrim kushtetues dhe i ligjeve që burojnë prej saj. Në Nenin 59 të Kushtetutës sanksionohet se Shteti Shqiptar duhet të synojë ‘për shfrytëzimin racional të pyjeve, ujërave, kullotave dhe pasurive të tjera natyrore mbi bazën e parimit të zhvillimit të qëndrueshëm’ (Pika dh).
Shqipëria nuk është një vend i ngujuar nga bota, por është palë në shumë organizma ndërkombëtare, shumë konventa, përfshirë dhe ato që interesohen për çështje të mjedisit. Vendi ynë bashkëpunon ngushtë me Bashkimin Europian, ku përmbushja e disa standardeve kanë shumë rëndësi.
Si vend kryesisht malor, por edhe bregdetar njëkohësisht, Shqipëria dallohet për biodiversitet të lartë; këtu nuk bëjnë përjashtim lumenjtë. Gjendja natyrore dhe vlerat e biodiversitetit të lumenjve shqiptarë mendohet të jetë ndër më të lartat në Ballkan. Nga mbi 3100 km rrjedhje lumore që ka gjithsej Shqipëria, rreth 2200 km (pra mbi 70%) kanë shkallë të lartë ruajtje, janë gati të paprekura, përfshirë këtu edhe zonat kënetore apo deltat lumore të tyre. Këtu dallohen lumenjtë në Alpe, si Valbona, Shala, Cemi, kurse në jug dallohet Lumi Vjosë me degët e tij, Langaricë, Bënçë, Kardhiq etj.
Bashkë me degët e tij, lumi Vjosë përbën një ekosistem dinamik thuajse natyror. Me të vërtetë, ai përfaqëson një pasuri natyrore të panjohur në mbarë Europën. Krahas ndikimeve të tjera nga njeriu, në degët e Vjosës janë dhënë leje ose janë ndërtuar deri sot mbi 20 HEC-e. Por në planet hidroenergjetike ekziston mundësia për ndërtim digash gjatë rrjedhës së lumit. Diga e Kalivaçit që filloi qysh në 2007, pavarësisht nga dëmet mjedisore në lumë, ende nuk është përfunduar dhe aktualisht punimet janë ndërprerë. Ky u duk si ogur i mirë për Vjosën! Por për fat të keq ka filluar tenderimi për ndërtimin e një dige tjetër, pak kilometra më poshtë, në Poçem. Kjo në kundërshtim edhe me disa premtime elektorale dhe një farë entuziazmi të shprehur nga Qeveria për ta mbrojtur Vojsën nga HEC-et.
Në vitin 2015 prodhimi vendas i energjisë elektrike ishte vetëm nga hidrocentralet: rreth 60% nga HEC-et publike, rreth 20% nga HEC-et private, kurse 20% nga importi (INSTAT, 2016). Si shihet pjesa më e madhe e prodhimit vendas sigurohet nga ato pak HEC-e të mëdha kryesisht publikë, kurse pjesa tjetër nga rreth 100-230 HEC-e të vegjël kryesisht privatë (ky numër ende nuk dihet saktë!). Por prej vitit 2007 janë koncesionuar mbi 520 HEC-e (!), të përhapura gjeografikisht në gjithë vendin, disa prej të cilëve janë ndërtuar ose janë në ndërtim e sipër. Energjia e prodhuar nga burime të tjera është sot 0. TEC-et e trashëguara u rrafshuan gjatë tranzicionit, kurse TEC-i i Vlorës edhe pse i kushtueshëm në ndërtim dhe ekologjikisht miqësor, është lënë në faliment. Unë apo gjithë të tjerët që mendojnë si unë nuk jemi kundër shfrytëzimit të lumenjve për hidroenergjetikë. Por ajo që nuk shkon dhe nxit shqetësimin tonë dhe atë ndërkombëtar është ndërtimi në zona lumore me shkallë shumë të lartë ruajtje. Mbi 80 HEC-e të dhënë me koncesion ose janë brenda zonave të mbrojtura ose janë të ndërvarur me to në mënyrë funksionale. Këtu përmendim HEC-et në parqet e Valbonës, të Lurës, të Thethit, të Hotovës etj.
Kuptohet se nga kanalizimi, betonimi dhe tunelimi i ujërave të këtyre lumenjve nuk do të jetë pa pasoja natyrore dhe biologjike. Nga këto ndërhyrje integriteti (virgjëria) e ekosistemeve lumore me siguri që humbet! Kjo është në kundërshtim jo vetëm me aktet ligjore në vend, por dhe me standardet dhe detyrimet ndërkombëtare për zonat e mbrojtura. Ndër të tjera, edhe vetë ekspertiza për vlerësimin e ndikimit në mjedisi (VNM) lidhur me mbrojtjen e natyrës dhe të biodiversitetit vazhdon të mbetet shumë e përgjithshme, mjaft sipërfaqësore dhe jo profesionale. Kjo jo vetëm për pa aftësinë e ekspertëve, por edhe për mungesë të njohurive përkatëse për secilën zonë të thellë malore që parashikohet t’i nënshtrohet ndërhyrjes nga njeriu.
Kjo është arsyeja pse Bashkimi Europian e sheh me shqetësim zhvillimin energjetik në shkallë të gjerë në Ballkan, përfshirë dhe Shqipërinë. Këtu mbështetet edhe nisma e mjedisorëve mbi ruajtjen e Zemrës Blu të Europës (si i quajnë ata lumenjtë e Ballkanit) nga tsunami i HEC-eve. Shpesh dëgjojmë të thuhet se kjo është energji e pastër. Po, por jo gjithmonë është energji e blertë! E shtrirë në këtë mënyrë në çdo skaj nuk është pa pasoja në mjedis, kur bëhet fjalë për ndërhyrje në pikat më të brishta të natyrës, më të paprekura, më me vlera natyrore, biologjike, turistike të saj.
Nevoja për mbrojtjen e natyrës dhe të biodiversitetit sot në botë është kaq e mprehtë sa duhet bërë pavarësisht nga vështirësitë ekonomike dhe nga mirëqenia e çastit. Për këtë arsye madhore, njeriu i qytetëruar sot më shumë se kurrë është i detyruar të lerë hapësira të caktuara që jeta të zhvillohet e lirë, e pa shqetësuar nga çdo lloj ndikimi nga veprimtaritë e njeriut. Këto zona të mbrojtura janë vendbanimi për shumë lloje bimore dhe shtazore që do ta kishin të vështirë të mbijetonin në mjediset jashtë tyre për shkak të ndërhyrjes së njeriut.
Nga lumenjtë shqiptarë, Lumi Vjosë dallohet si ndër lumenjtë e rrallë të Europës që është i pa ndërprerë me diga nga burimi e deri në grykëderdhje në det. Për këtë, me të drejtë konsiderohet lumë i egër. Prandaj kërkohet të mbrohet si i tillë, të mos ndërpritet nga digat, por këshillohet të shoqërohet zhvillimi ndryshe me masa mbrojtëse dhe ripërtëritëse. Edhe për Vjosën dëgjohet të thuhet se ‘vlen të mbrohet vetëm pjesa e sipërme e Vjosës (nga Tepelena në Çarshovë)’. Dëshiroj të theksoj se vlera e Lumit Vjosë nuk qëndron vetëm te cilësitë turistike që ofron pjesa malore e këtij Lumi, por tek rrjedhja e lirë nga burimi në det që Vjosa ofron për shumë gjallesa ujore, që sot nuk gjendet gjetkë në Europë. Si i tillë, Lumi i Vjosës është e vetmja mundësi në mbarë Europën edhe për kërkime shkencore lumore.
Pavarësisht se ne nuk e njohim plotësisht biodiversitetin e këtij Lumi dhe të degëve të tij, përsëri mund të pohojmë se biodiversiteti i Vjosës është i pasur. Peisazhi lumor dallohet nga lloje dhe formacione bimore ripariane, si dhe habitate lumore me vlerë. Këta strehojnë edhe botë shtazore ujore të pasur. Në të lëvizin deri tani lirshëm shumë lloje peshqish shtegtarë, si ngjala dhe qefulli, lloje europiane të kërcënuara në mënyrë kritike, krahas llojeve subendemike të peshqve, si mrena e egër e Ohrit (Cobitis ohridana) dhe mrena e Pindusit. Në Vjosë, gjithashtu, gjejnë strehë lloje të gjinisë së blinit, lampreda europiane e lumenjve etj. Në degët anësore me ujë të pastër dhe të ftohtë gjenden troftat e egra së bashku me lundërzën.
Delta e Vjosës bashkë me Nartën njihet në Shqipëri si e dyta për nga rëndësia për shpendët ujorë (deri 80 lloje), pas Karavastasë; kjo zonë njihet si vendi kryesor për dimërimin e disa llojeve shpendësh, si flamingot dhe çafkat, apo dhe prania e pelikanit kaçurrel. Edhe zona malore e Vjosës ofron habitate për lloje shpendësh të kërcënuar, si p.sh. grabitqarët, për gjitarë të kërcënuar, si ariu, ujku, dhelpra, kunadhja, kaprolli, derri i egër, lepuri i egër, ketri etj. Të gjitha këto kafshë apo habitatet e tyre janë drejtpërdrejt ose tërthorazi të lidhura me lumin.
Këto janë arsyet që shtyjnë mjedisorët të kërkojnë që i gjithë pejsazhi lumor i Vjosës nga hyrja në territorin tonë në Çarshovë (Përmet) e deri në grykëderdhje në Dëllinjë (Vlorë) të shpallet zonë e mbrojtur dhe të mbrohet nga ndërtimi i digave dhe shumë ndërhyrje të tjera jo miqësore. Për këtë i kërkohet me forcë sot Qeverisë të ndalojë procesin e tenderimit për të ndërtuar diga në Vjosë. Unë e kuptoj se për një lumë të madh dhe me fuqi energjetike të lartë kjo kushton shtrenjtë. Këtu Qeveria duhet të llogaritë mirë përfitimet hidroenergjetike dhe gjithë përfitimet nga shërbimet e tjera që mund të ofrojë ky ekosistem në rast se mbrohet si i tërë. Për këtë, ka shumë të drejtë të kërkojë ndihmë dhe mbështetje nga BE për të përmbushur kërkesat që rrjedhin nga dy Rezolutat për HEC-et në lumenj.
Edhe kur përmenden zonat e mbrojtura, shpesh dëgjohet të vlerësohen më shumë nga interesat e çastit, ku mbizotëron mendimi për zhvillimin e turizmit etj. Por Parqet Kombëtare nuk janë në të vërtetë Parqe Turistike! Është e vërtetë se aty ku natyra është e mbrojtur, e paprekur, me integritet të lartë, ajo bëhet më tërheqëse për njeriun. Sa më e virgjër të jetë një zonë aq më shumë ofron ajo interes për një natyralist, për një dashamirës të natyrës, aq më e madhe është fuqia çlodhëse e saj. Por përfitimet nga një zonë e mbrojtur nuk duhen parë vetëm këtu, por tek detyrimi që ne kemi për të zhvilluar veten tonë bashkë me natyrën, për të bashkëjetuar në rrugën tonë me botën e gjallë, me florën, me faunën, për të sotmen dhe për të ardhmen. Kjo është e paçmuar, e vështirë të vlerësohet nga ana ekonomike!
Theksojmë se lumi i Vjosës në pjesën greke rrjedh brenda parkut kombëtar Vikos-Aoos/Vjosë. Shpallja e pjesës shqiptare si zonë e mbrojtur do të pengonte edhe dëshirat e palës greke për të përdorur ujërat e pjesës së sipërme të Vjosës, gjithashtu, për hidroenergjetike dhe për vaditje. Por mbi të gjitha kjo nismë do të përmbushte detyrimet që Shteti shqiptar ka ndaj zbatimit të akteve ligjore brenda vendit, si dhe do të ishte edhe një garanci për përmbushjen e standardeve të BE-së. Të gjitha këto së bashku kanë sot rëndësi më shumë se kurrë për vendin.
*Departamenti i Biologjisë, Fakulteti i Shkencave Natyrore, Universiteti i Tiranës.