Një grua që pati marrë librin “Mite dhe Legjenda të Maorilandit” nga biblioteka e Oaklandit në Zelandën e Re në vitin 1947 dhe kishte si afat kthimi 13 majin 1948, e ktheu atë duke kërkuar ndjesë dhe duke thënë se “kishte dashur gjithmonë ta kthente”.
Libri me autor A.W. Reed u tërhoq nga një vajzë në vitin 1947 dhe nuk qe parë më në atë kohë. Por të enjten e kaluar, një grua e ktheu librin te një bibliotekar i habitur duke e pyetur se sa duhej të paguante për librin e kthyer 24,605 ditë me vonesë.
“Ajo më tha se e kishte tërhequr librin si fëmijë dhe se kishte dashur ta rikthente prej kohës,” tha bibliotekari Zoe Cornelius.
“Ajo ishte në siklet por e kënaqur për shkak se tha se e kishte lexuar dhe shijuar librin shumë herë përgjatë dekadave dhe se libri e kishte bërë të lumtur,” tha ai.
Gjithsesi, ajo i shpëtoi gjobës për vonesë pasi biblioteka nuk mbante kamatëvonesë për librat e kthyer vonë nga lexuesit e vegjël dhe se lexuesja kishte qenë fëmijë kur e kishte tërhequr librin.
Fatura e tërheqjes së librit thoshte se gjoba prej tri qindarkash në ditë do të paguhej për javën e parë pas skadimit të afatit si dhe një qindarkë në ditë do të paguhej për vonesa më të gjata se kaq.
Nëse lexuesja do të kishte qenë e rritur, gjoba për vonesë me normat e sotme të bibliotekës prej 1 dollari neozelandez në ditë do të arrinte në 24 mijë dollarë neozelandezë (rreth 17 mijë dollarë amerikanë).
Biblioteka njoftoi se po mendon nëse duhet ta ruajë librin në koleksionin e vet special ndërsa e shfrytëzoi rastin për të pyetur banorët e qytetit nëse edhe ata kanë libra të tillë, duke premtuar faljen e gjobave për kthimet tepër vonë.
Biblioteka nuk kishte qenë në gjendje ta kërkonte librin e pakthyer pasi lexuesja nuk e kishte lënë emrin e saj në dokumente.
Peshkupauje/d.i.